Ndërlidhjet

Tri raste të infektimit me variantin britanik të COVID-19 në Kosovë


Ilustrim.
Ilustrim.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë të premten se tri mostra kanë rezultuar pozitive në variantin britanik të koronavirusit në Kosovë.

Ai ka thënë se 30 mostra janë dërguar për analizim në një laborator në Gjermani.

Aktualisht Kosova ka pezulluar të gjitha fluturimet drejt Mbretërisë së Bashkuar, prej raportimit të variantit të ri me koronavirusit në këtë shtet vitin e kaluar.

Ky variant është thënë se është më përhapës dhe më vdekjeprurës sesa versioni fillestar i virusit që shkakton sëmundjen COVID-19.

Bilanci i të infektuarve me koronavirus në 24 orët e fundit

Ndërkohë autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar të premten 342 persona të infektuar me koronavirus, pas testimit të 1,926 mostrave.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani ka thënë në një konferencë për media se në 24 orët e fundit janë regjistruar pesë viktima me këtë virus.

Sipas IKSHPK-së, të premten nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, janë shëruar 235 persona, derisa raste aktive janë 6,211.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore në këtë shtet kanë regjistruar 59.646 persona të infektuar me këtë virus.

Prej tyre, 1,487 pacientë kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG