Ndërlidhjet

Studimet ruse tregojnë se Sputnik V është vaksinë e sigurt dhe efektive


Ilustrim.
Ilustrim.

Shkencëtarët rusë kanë thënë se vaksina e tyre kundër koronavirusit, Sputnik V, ofron rreth 91 për qind mbrojtje kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton ky virus, bazuar në të dhënat e publikuara në revistën kërkimore The Lancet.

Rezultatet kanë të bëjnë me fazën e fundit të testimit të kësaj vaksine, në të cilën kanë marrë pjesë rreth 20,000 persona.

Vaksina ka rezultuar të jetë e sigurt dhe ka ofruar mbrojtje të plotë kundër hospitalizimit dhe vdekjes.

Dalja në treg e kësaj vaksine është përcjellë me polemika, meqë ka nisur të përdoret para se të publikoheshin të dhënat e fazës përfundimtare.

Mirëpo shkencëtarët besojnë se përftimi i saj është vërtetuar tani.

Ajo hyn në mesin e vaksinave të miratuara në shumë vende të botës nga kompanitë, Pfizer, AstraZeneca, Moderna dhe Janseen.

Vaksina Sputnik funksionon në mënyrë të ngjashme sikurse ajo e krijuar nga Universiteti Oksford dhe kompania AstraZenenca, e prodhuar në Mbretëri të Bashkuar dhe ajo e kompanisë Janssen, e krijuar në Belgjikë.

Përmes vaksinës injektohet një lloj i ftohtë virusi, që besohet se nuk shkakton dëm dhe bart një sasi tejet të vogël të koronavirusit në organizëm.

Injektimi i një doze të vogël virusi mëson organizimin për rrezikun që i kanoset dhe mëson ta luftojë atë më vonë.

Deri më tani nuk ka pasur reaksione serioze të lidhura me testimin e vaksinës.

Fondi rus i Investimeve Direkte, që ka ndihmuar në financimin e vaksinës Sputnik V, ka thënë muajin e kaluar që më shumë se 1 milion rusë janë vaksinuar me këtë vaksinë.

Mirëpo disa rusë kanë thënë se dyshojnë nëse kjo shifër është e vërtetë, meqë fushata e testimit ka qenë më e ngadalshme.

Autoritetet hungareze janë të parat në Bashkimin Evropian që kanë miratuar këtë vaksinë muajin e kaluar.

Megjithatë, Qendra Kombëtare për Shëndet Publik në këtë shtet duhet të japë miratimin përfundimtar para se të shpërndahen vaksinat në publik.

XS
SM
MD
LG