Ndërlidhjet

Filmi "Zgjoi" fiton tri çmime në Sundance Film Festival


Pamje nga filmi 'Zgjoi' i regjisores dhe skenaristes, Blerta Basholli.
Pamje nga filmi 'Zgjoi' i regjisores dhe skenaristes, Blerta Basholli.

Filmi artistik nga Kosova, ‘Zgjoi’ me regji të Blerta Bashollit ka fituar tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival.

Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) njofton se ky film ka fituar çmimet: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në Shtetet e Bashkuara.

“Të shpërblehem nga festivali im i preferuar, ka rëndësi të papërshkrueshme për mua. Dua t’i ndaj këto çmime me të gjithë ekipën, aktorët dhe posaçërisht me Fahrije Hotin të cilën e mbaj në zemër që nga momenti i parë që e kam takuar, dhe e cila është shembull për të gjithe ne” u shpreh Basholli përmes një video mesazhi, thuhet në njoftimin e QKK-së.

Filmi "Zgjoi" është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetësën e familjes.

Ajo e fillon këtë angazhim duke u përballur me një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Askush dhe asgjë nuk e ndaloi Fahrijen në misionin e saj. E pikërisht kjo gjë e intrigoi Bashollin që të realizojë një film të bazuar në jetën e saj.

Rolin e Fahrijes e luan aktorja, Yllka Gashi.

Filmi ‘Zgjoi’ është filmi i parë i gjatë i Bashollit dhe pas festivalit ‘Sundance’ ka një rrugëtim nëpër festivale të tjera. Për publikun kosovar do të shfaqet në fund të këtij viti.

‘Zgjoi’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cineforom, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi në Shqipëri. Ky film është prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio në bashkëprodhim nga Alva Film Production, Blac Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV.

XS
SM
MD
LG