Ndërlidhjet

Rusia dëbon diplomatët evropianë që “morën pjesë” në protestat për Navalnyn


Protestat në Rusi në mbështetje të Aleksei Navalnyt.
Protestat në Rusi në mbështetje të Aleksei Navalnyt.

Rusia ka shpallur “persona non grata” (persona të padëshiruar) një numër të paspecifikuar të diplomatëve që punojnë në misionet diplomatike të Suedisë, Polonisë dhe Gjermanisë, duke thënë se ata kanë marrë pjesë në protestat që u organizuan në mbështetje të opozitarit rus, Aleksei Navalny.

Ministria e Jashtme ruse tha më 5 shkurt se ambasadori suedez, i ngarkuari me punë i Polonisë dhe i dërguari gjerman, janë ftuar në ministri, për t’iu shprehur indinjata e Rusisë për pjesëmarrjen e diplomatëve në protestat e 23 janarit.

“Diplomatët që kanë marrë pjesë në veprime joligjore janë shpallur ‘persona non grata’ në përputhje me Konventën e Vjenës mbi marrëdhëniet diplomatike të 18 prillit, 1961. Ata janë urdhëruar që në një të ardhme të afërt të largohen nga territori i Federatës ruse”, tha ministria.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell i ka bërë thirrje Rusisë që ta rishqyrtojë vendimin për dëbimin e diplomatëve evropianë.

“E dënoj fuqishëm këtë vendim dhe hedh poshtë pretendimet për aktivitetet e tyre (diplomatëve) dhe i bëjë Rusisë që ta rishqyrtojë vendimin e saj”, tha Borrell, njoftoi përmes Twitter-it, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Më 22-23 janar dhe më 31 janar, në Rusi dhjetëra-mijëra persona kanë protestuar për të kundërshtuar dënimin e Navalnyt, lidhur me një rast të mëparshëm për keqpërdorim fondesh. Navalny thotë se rasti ndaj tij është i motivuar politikisht. Ai është dënuar me tri vjet burgim.

Në këto protesta janë arrestuar mijëra persona.

XS
SM
MD
LG