Ndërlidhjet

Izraeli me strategji digjitale për luftimin e antisemitizmit


Flamuri i Izraelit.
Flamuri i Izraelit.

Izraeli u ka paraqitur kompanive të mëdha të teknologjisë, Facebook, Google, TikTok dhe Twitter disa propozime për të forcuar luftën kundër antisemitizmit në mediat sociale.

“Për shkak të mungesës së rregullit në mediat sociale, antisemitizmi në të gjitha format e tij po zhvillohet në mënyrë të shfrenuar", tha ministrja e Çështjeve të Diasporës së Izraelit, Omer Yankelevich. Ajo tha se strategjia të cilën e ka paraqitur shteti hebre do të ndihmojë këto kompani që të "zbatojnë një politikë më të qartë dhe më agresive kundër antisemitizmit".

Yankelevich foli për këtë çështje gjatë një takimi parlamentar, ku morën pjesë përfaqësues të platformave mediale përmes video-konferencës.

"Liria e shprehjes nuk duhet të mbrojë nxitjen e dhunës dhe antisemitizmin", shtoi ajo.

Izraeli kërkon që të fshihen llogaritë e personave që janë të dënuar për gjuhë antisemite, raporton AFP.

"Nëse një gjykatë ka vendosur që një person është antisemitik, nuk ka asnjë arsye që media sociale t'u sigurojë atyre një platformë për të përhapur urrejtjen e tyre", tha Yankelevich.

Izraeli propozoi që kompanitë të miratojnë përkufizimin e antisemitizmit si një "perceptim i caktuar ndaj hebrenjve, i cili mund të shprehet si urrejtje ndaj tyre".

Ky është përkufizimi i antisemitizmit që e ka vendosur Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokausti (IHRA).

Në shtjellimin e këtij përkufizimi, IHRA thotë se "mohimi i të drejtës së popullit hebre për vetëvendosje", për shembull, "duke pretenduar se ekzistenca e një shteti izraelit është një përpjekje raciste", është një formë e antisemitizmit.

Dokumenti që iu është paraqitur kompanive të teknologjisë përmend posaçërisht postimet në Twitter nga lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, vendi i të cilit është armiku kryesor i Izraelit.

"Është mëse e rëndësishme të ndërmarrim hapa dhe të tregojmë përparim në këto çështje shumë të rëndësishme", tha Jordana Cutler, një përfaqësuese e Facebook-ut në Izrael.

Ronan Costello, një zyrtar i Twitter, tha se asnjë "udhëheqës nuk përjashtohet nga politikat tona" dhe se platforma do të "zbatojë ato, kudo ku ka shkelje".

XS
SM
MD
LG