Ndërlidhjet

Në Kosovë lehtësohen masat kundër COVID-19, "pa miratimin" e Bordit Këshilldhënës


Ilustrim.
Ilustrim.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim të enjten për lehtësim të masave për luftim të pandemisë së koronavirusit.

Me vendimet e reja, orë policore nuk do të ketë në asnjë qytet të Kosovës, studentët do të vazhdojnë ligjëratat në objekte të fakulteteve, derisa orari i punës së operatorëve ekonomikë në gjithë Kosovën do të jetë nga ora 05:00 deri më 22:00.

Mes tjerash në njoftim është thënë se në tubimet publike, të organizuara në ambiente të hapura mund të marrin pjesë 80 persona, derisa në ato të mbyllura deri në 50 persona, për dallim nga 30 persona sa janë lejuar në hapësira të mbyllura dhe 50 në ato të hapura deri më tani.

Sipas njoftimit të kryeministrisë, në mbledhjen e mbajtur më 11 shkurt, vendimet janë marrë bazuar në rekomandimet e dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Mikrobiologu Lul Raka, kryesues i Bordit Këshilldhënës për koronavirus, ka thënë se nuk është konsultuar për një propozim të tillë.

Ky Bord është formuar nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ai ka thënë se kundërshton lirimin e masave në këtë kohë.

“Në kohën e shkeljes masive të masave parandaluese gjatë fushatës zgjedhore e parazgjedhore nga tërë spektri politik; shtrirjes së variantit britanik të virusit, i cili është prezent në Kosovë që nga fundi i dhjetorit, çdo ‘lehtësim politik i masave’ mundëson përhapjen e infeksionit në komunitet duke kërcënuar shëndetin publik e individual në Kosovë. Prandaj, unë jam kundër lirimit të masave në këtë kohë”, ka thënë mes tjerash ai.

Kosova aktualisht po përballet me fushatë zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Nëpër shumë organizime të partive politike, që marrin pjesë në këto zgjedhje, janë parë qindra persona nëpër ambiente të mbyllura, pa respektuar distancën fizike dhe me raste pa mbajtura as maska.

Fushata "fshin" pandeminë
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:31 0:00

XS
SM
MD
LG