Ndërlidhjet

Merkel i pranon të metat e vendimeve për valën e dytë të pandemisë


Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel i ka pranuar të metat në përgjigjjen e Gjermanisë ndaj valës së dytë të koronavirusit, gjatë një fjalimi të enjten në parliament.

Ajo u ka thënë ligjvënësve se Gjermania e ka kaluar valën e parë të pandemisë relativisht mirë.

“Më pas nuk kemi qenë mjaftueshëm të kujdesshëm apo të shpejtë”, ka thënë ajo, duke shtuar se për izolimin e dytë, që ka hyrë në fuqi nga nëntori, nuk është vendosur me kohë.

Të mërkurën, Merkel dhe kryetarët e 16 landeve gjermane janë pajtuar për të shtyrë masat e izolimit deri më 7 mars.

Kjo nënkupton që restorantet, dyqanet, muzetë dhe institucionet tjera, do të mbesin të mbyllura.

Megjithatë, administratat shtetërore kanë marrë vendime tjera, veç e veç, për rihapje të shkollave dhe kopshteve për fëmijë, duke nisur nga 22 shkurti.

Përveç kësaj, floktaritë do të lejohen të hapen nën masa të rregullta të higjienës nga 1 marsi.

Kancelarja Merkel ka thënë të enjten se zgjatja e izolimit, ka qenë e domosdoshme.

“As edhe për një ditë nuk harroj se çka nënkuptojnë masat e domosdoshme për secilin njeri: kufizim të përkohshëm të lirisë që nuk është përjetuar kurrë më parë në republikën federale, barrë të rëndë personale, vetmi, shqetësime ekonomike dhe frikë ekzistenciale. Nuk do ta harroj këtë gjë as edhe një ditë”, ka thënë Merkel.

Sipas të dhënave të Institutit Robert Koch, 2.3 milionë persona në Gjermani janë infektuar me koronavirus prej shpërthimit të pandemisë.

Prej tyre, 63,636 persona kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG