Ndërlidhjet

Hungaria nis përdorimin e vaksinës ruse kundër koronavirusit


Kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Hungaria është kthyer të premten në shtetin e parë të Bashkimit Evropian që do të përdorë vaksinën ruse kundër koronavirusit, Sputnik V, duke mos qenë në linjë me pjesën tjetër të bllokut evropian.

“Sot ne do të fillojmë vaksinimin me vaksinën Sputnik V, dhe kjo gjë do të ndodhë në stacionet e përcaktuara për vaksinim”, ka thënë shefja e zyrës mjekësore, Cecelia Muller, për një të përditshme në Budapest.

Muajin e kaluar Hungaria i ka dhënë vaksinës ruse miratim urgjent, duke porositur dy milionë doza në tre muajt e ardhshëm, apo mjaftueshëm për të vaksinuar 1 milion persona, duke mos pritur për dritë të gjelbër nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve (EMA).

Budapesti ka miratuar edhe vaksinën kineze kundër këtij virusi, Sinopharm – sërish vendi i parë në BE që ka bërë një gjë të tillë – dhe ka thënë se ka porositur pesë milionë doza.

Hungaria ka hyrë shpesh në konflikt me Brukselin, kryesisht për çështje të migrimit, dhe vazhdimisht ka kritikuar atë që e ka konsideruar proces të ngadalshëm të miratimit dhe prokurimit nga agjencitë evropiane të shëndetësisë.

“Secilën ditë që kalojmë duke pritur rreth Brukselit, ne mund të humbim 100 jetë njerëzish”, ka thënë kryeministri hungarez, Viktor Orban gjatë një intervistë me një radio shtetërore më 12 shkurt.

Po këtë ditë, Hungaria ka raportuar 99 viktima me koronavirus, duke e çuar në 13,543 numrin e të vdekurve me këtë virus në këtë shtet, derisa numri i të infektuarve nëpër spitale ka nisur të rritet ashpër.

Orban ka thënë se rritja e numrit të të infektuarve është pasojë e variantit britanik të koronavirusit.

Megjithatë, ai ka thënë se nuk ka nevojë për masa tjera të izolimit për të parandaluar përhapjen.

“Nëse nis vaksinimi edhe me vaksinën kineze, deri për Festën e Pashkëve ne do të jemi të gatshëm të vaksinojmë më shumë se 2 milionë njerëz, që janë regjistruar për vaksina”, ka thënë mes tjerash Orban.

XS
SM
MD
LG