Ndërlidhjet

BE i kërkon Hungarisë të vazhdojë transmetimet e radios së pavarur


Logo e Klubradios hungareze

Krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian i kërkoi Hungarisë që të lejojë një radio-stacion me prirje liberale, të vazhdojë transmetimin.

Klubradio e ndërpreu të hënën transmetimin përmes valëve të ajrit, pas refuzimit të autoriteteve hungareze për t’ia zgjatur licencën.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Christian Wigand, tha se Komisioni i dërgoi një letër përfaqësimit të përhershëm të Hungarisë në Bruksel, javën e kaluar, për t’i shprehur shqetësimet mbi Klubradion - stacionin e fundit të pavarur të lajmeve në Hungari.

Komisioni kërkoi nga Budapesti të ndërmarrë veprime urgjente, në mënyrë që Klubradio të vazhdojë të përdorë frekuencën e saj, derisa vendimet përfundimtare të bëhen ligjërisht të detyrueshme, tha Wigand.

Ai po ashtu tha se humbja e licencës së stacionit ndodhi “mbi baza shumë të dyshimta ligjore” dhe se Hungaria “duhet të respektojë statutin e BE-së për të drejtat themelore, përfshirë të drejtat për lirinë e shprehjes, informacionit dhe lirinë për të bërë biznes”.

Zëdhënësi tha se Hungaria nuk ka dërguar ende përgjigje zyrtare në letrën e Komisionit.

Përmbajtja e Klubradios shpesh është kritike ndaj Qeverisë së kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

Në shtator të vitit 2020, rregullatori i mediave në Hungari, NMHH, i përbërë vetëm nga mbështetësit e Orbanit, ka refuzuar ta zgjasë licencën shtatëvjeçare të operimit të Klubradios, e cila skadoi më 14 shkurt, duke thënë se stacioni “në mënyrë të përsëritur” ka shkelur Ligjin e regjistrimit të detyrueshëm.

Presidenti i Klubradios, Andras Arato, tha javën e kaluar se apeli i tij në Gjykatën Metropolitane në Budapest, për ta detyruar NMHH-në të lëshojë një licencë të përkohshme transmetimi, është refuzuar.

Ai tha se radio-stacioni do të ndërpritet përmes valëve të ajrit, por do të vazhdojë transmetimet në internet.

Hungaria është tashmë nën hetimet e Bashkimit Evropian për minimin e pavarësisë së gjyqësorit, medias dhe organizatave joqeveritare dhe rrezikon të humbasë qasjen në dhjetëra miliarda euro fonde nga blloku.

Hungaria është renditur e 89-ta në mesin e 180 vendeve në Indeksin e Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, më 2020.

XS
SM
MD
LG