Ndërlidhjet

Blinken: Marrëveshja Kosovë-Serbi kërkon gatishmëri për kompromis


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, e përqendruar në njohjen reciproke, do të kërkojë fleksibilitet dhe gatishmëri nga të gjitha palët për të bërë kompromis.

Blinken i bëri komentet në një letër dërguar autoriteteve serbe, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë.

Ai po shtu tha se SHBA-ja i duartroket hapat e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ndërsa vazhdon mbështetjen për synimin strategjik të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Këtë vit, ne gjithashtu shënojmë 140-vjetorin e marrëdhënieve zyrtare midis dy vendeve tona”, tha Blinken.

Serbia shënon çdo 15 shkurt Ditën e Shtetësisë së saj.

Në muajin mars bëhen dhjetë vjet prejse Kosova dhe Serbia kanë nisur bisedimet e drejtpërdrejta për normalizimin e marrëdhënieve.

Bisedimet janë ndërmjetësuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian, ndërsa janë mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Ditë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka inkurajuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të arrijë marrëveshje me Kosovën, e cila do të përfshinte njohjen e ndërsjellë.

Në përgjigje, Vuçiq ka thënë se ka përpjekje që njohja e ndërsjellë të imponohet si zgjidhje përfundimtare, porse është detyrim i tij t’i mbrojë interesat e Serbisë.

XS
SM
MD
LG