Ndërlidhjet

Vaksina e AstraZeneca-s në Kosovë në fund të shkurtit ose në fillim të marsit  


Ilustrim.

Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit të kompanisë AstraZeneca, pritet të arrijnë në Kosovë në fund të muajit shkurt ose më sa largu në fillim të marsit.

Ajo megjithatë nuk ka saktësuar se sa do të jetë sasia e dozave të vaksinës.

"Institucionet janë gati, ekipet e vaksinimit janë duke u trajnuar", tha Humolli.

Organizata Botërore e Shëndetësisë më 15 shkurt dha dritën jeshile për përdorimin emergjent të një vaksine kundër koronavirusit, të prodhuar nga kompania farmaceutike AstraZeneca, në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit. Kjo është vaksina e dytë që autorizon OBSH-ja, pas autorizimit të vaksinës Pfizer/BioNTech në muajin dhjetor.

Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxfordit kundër koronavirusit, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra. Sipas një raporti të publikuar më herët gjatë këtij muaji, Kosova do të marrë nga COVAX-i 100,800 doza të kësaj vaksine.

Përveç vaksinave nga COVAX, Ministria në detyrë e Shëndetësisë pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.

Megjithatë, kompania amerikane, Pfizer nuk e ka konfirmuar marrëveshjen me Qeverinë në detyrë të Kosovës.

Për të qenë sa më efektive, edhe AstraZeneca, edhe Pfizer/BioNTech duhet të jepen në dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh.

Deri më 15 shkurt, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 64,519, ndërsa i viktimave në 1,545.

Koronavirusi ka infektuar mbi 109 milionë njerëz në të gjithë botën. Së paku 2.4 milionë prej tyre kanë vdekur.

Por, shumë vende të botës ende nuk kanë nisur programet e vaksinimit e, madje, edhe vendet e pasura po përballen me mungesa të dozave, derisa fabrikat po përpiqen të rrisin prodhimin.

XS
SM
MD
LG