Ndërlidhjet

Lajçak: Marrëveshja Kosovë-Serbi, absolutisht e mundur


Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Bashkimi Evropian është i bindur se “normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është absolutisht i mundur”, tha përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Është në interesin e tyre, në interesin e të gjithë rajonit dhe, natyrisht, në interesin e BE-së”, tha Lajçak për të përditshmen e Beogradit “Danas”, kur u pyet se çfarë do të bëjë nëse nuk ka kompromis për këtë çështje.

Albin Kurti, partia e të cilit i ka fituar zgjedhjet parlamentare në Kosovë më 14 shkurt, tha se formimi i ekipit negociues për dialogun me Serbinë nuk është prioritet i tij, duke shtuar se është “prioritet i gjashtë ose i shtatë” për qytetarët e Kosovës.

Lajçak tha se BE-ja është ndërmjetëse në dialog dhe se nuk do të imponojë asgjë.

“Ne jemi gati të vazhdojmë sapo Qeveria e re në Prishtinë të marrë detyrën”, tha Lajçak.

I pyetur se kur mund të vazhdojë dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, Lajçak tha se nuk do të ishte një gjë e mençur “fiksimi i datës”.

Muajin e ardhshëm bëhen dhjetë vjet prejse Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat e drejtpërdrejta për normalizimin e marrëdhënieve.

Bisedimet ndërmjetësohen nga BE-ja dhe mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.

Ato do të duhej të përfundonin me një marrëveshje të detyrueshme gjithëpërfshirëse.

XS
SM
MD
LG