Ndërlidhjet

NATO, ende pa vendim për tërheqjen nga Afganistani


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca nuk ka marrë vendim përfundimtar nëse do t’i tërheqë ose kur do t’i tërheqë trupat nga Afganistani.

NATO-ja mbajti të enjten një takim virtual.

Administrata amerikane e presidentit Joe Biden është duke rishikuar një marrëveshje midis SHBA-së dhe talibanëve, për të përcaktuar nëse grupi militant është duke i përmbushur angazhimet e tij, përfshirë këtu arritjen e një armëpushimi dhe përfshirjen në negociata kuptimplote me Qeverinë afgane.

Sipas kësaj marrëveshjeje, të gjitha forcat e huaja duhet të largohen nga Afganistani deri në maj, në këmbim të garancive të sigurisë nga grupi militant.

Por, pavarësisht nisjes së bisedimeve të paqes midis negociatorëve afganë dhe talibanë në muajin shtator në Katar, dhuna në Afganistan është rritur.

“Në këtë fazë, ne nuk kemi marrë asnjë vendim përfundimtar për të ardhmen e pranisë sonë”, tha Stoltenberg pas një video-takimi me ministrat e Mbrojtjes të NATO-s.

“Derisa afrohet afati i 1 majit, aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të konsultohen dhe koordinohen nga afër në javët e ardhshme”, tha Stoltenberg.

Sulmet në rritje të talibanëve në Afganistan kanë nxitur anëtarë të Kongresit amerikan dhe grupe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut të bëjnë thirrje për shtyrjen e tërheqjes së trupave nga Afganistani, për ç’gjë është rënë dakord nën administratën e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Të enjten, dy profesorë të Universitetit të Kabulit u vranë, pas shpërthimit të bombës së vendosur në makinën e tyre.

XS
SM
MD
LG