Ndërlidhjet

Hungarisë, dy muaj kohë për të ndryshuar ligjin për OJQ-të


Selia e Komisionit Evropian në Bruksel

Bashkimi Evropian i ka dhënë Hungarisë dy muaj kohë për të ndryshuar një ligj, që i detyron organizatat e huaja joqeveritare t’i zbulojnë donatorët e tyre të huaj.

Komisioni Evropian, që është krahu ekzekutiv i BE-së, i dërgoi letër Budapestit, duke i thënë se ka dy muaj kohë për t’i zbatuar ndryshimet.

Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian ka konstatuar vitin e kaluar se ligji i vitit 2017 “përfshin kufizime diskriminuese dhe të pajustifikueshme”, në shkelje të të drejtave themelore, përfshirë mbrojtjen e të dhënave personale dhe lirinë e asociimit.

Autoritetet hungareze kanë thënë se ligji synon ta rrisë transparencën e financave të OJQ-ve dhe ta forcojë luftën kundër pastrimit të parave.

Ligji kërkon nga OJQ-të që marrin fonde të huaja - mbi 7.2 milionë forinta (27 mijë dollarë) - në vit, ta bëjnë publik destinacionin e tyre.

“Komisioni konsideron se Hungaria nuk i ka ndërmarrë masat e nevojshme për të vepruar në përputhje me aktgjykimin, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Komisionit për ta bërë një gjë të tillë me urgjencë”, tha të enjten Komisioni Evropian.

Kritikët thonë se ligji hungarez ka në shënjestër miliarderin amerikan, George Soros.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i ka akuzuar OJQ-të e financuara nga Soros, për ndërhyrje politike.

Soros i ka cilësuar fushatat kundër tij si “shtrembërime dhe gënjeshtra”, që, siç ka thënë, kanë për qëllim krijimin e një armiku të rremë të jashtëm, për të shpërqendruar vëmendjen e hungarezëve.

BE-ja e ka nxjerrë Hungarinë në gjyq në disa raste, duke akuzuar Qeverinë për ngufatje të mediave dhe akademikëve.

XS
SM
MD
LG