Ndërlidhjet

Policia ndalon tetë të dyshuar pas rrahjes së djalit të Nenad Rashiqit


Ilustrim.

Policia e Kosovës ka konfirmuar raportimet e mediave lokale në Kosovë se të hënën në afërsi të një shkolle në Llapnasellë, komuna e Graçanicës, ka ndodhur një rrahje ku janë përfshirë disa persona.

Për pasojë, Policia ka shoqëruar tetë të dyshuar në stacionin policor.

Sipas mediave, në këtë incident është rrahur Nikolla Rashiq, djali i politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiq.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti, ka thënë se janë duke vazhduar hetimet për këtë rast.

Ushtruesja e detyrës së presidentit në Kosovë Vjosa Osmani, ka thënë se sulmi ndaj djalit të Rashiqit është akt kundër demokracisë dhe lirisë së individit.

“Ftoj organet e rendit që sa më shpejt t’i sjellin para drejtësisë autorët e krimit. Është tashmë e qartë që sulmi ndaj tij është në vazhdën e kërcënimeve të shumta e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë, që kanë për qëllim frikësimin e qytetarëve serbë”, është cituar të ketë thënë Osmani sipas një komunikate për media të presidencës.

Lidhur me këtë incident ka reaguar edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se sulmi ndaj djalit të Rashiqit mund të jetë i organizuar dhe ka të bëjë me veprimtarinë e babait të tij.

“Në qeverinë tonë të re do të punojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie kombëtare të jetojnë të sigurt”, është thënë në reagimin e Kurtit.

Hetime për këtë rast ka kërkuar edhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicolas Abbott, duke thënë se dhuna e tillë është e papranueshme për këdo, mirëpo është në veçanti shokuese kundër një të riu.

“I kërkoj Policisë së Kosovës që të hetojë këtë incident shpejt dhe të gjejë ata që kanë nxitur dhe kanë marrë pjesë në këtë incident”, ka thënë mes tjerash ai.

Nenad Rashiq është kundërshtar politik i Listës Serbe në Kosovë, dhe ditëve të fundit ai ka folur hapur se si Lista Serbe po u bën presion votuesve serbë për të votuar për Adriana Hoxhiqin dhe subjektin e saj “Komuniteti i Bashkuar”, duke ua privuar rivalëve politikë boshnjakë përfaqësimin në Kuvendin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG