Ndërlidhjet

Dymbëdhjetë persona të arrestuar në një aksion policor në Kosovë


Ilustrim.
Ilustrim.

Dymbëdhjetë persona, në mesin e të cilëve 10 zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, që funksiononin në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë, janë arrestuar në aksionin e Policisë së Kosovës, që ka nisur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Të arrestuarit mësohet se kanë pozita të ndryshme në kuadër të agjencisë.

Dyshimet mbi ta lidhen me marrje ryshfeti.

Aksioni policor është zhvilluar në disa komuna si në Prishtinë, Istog, Pejë, Lipjan, Gjilan dhe Podujevë.

Policia ka kryer bastisje edhe në shtëpitë e personave të arrestuar dhe sipas Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi, bëhet fjalë për një shumë të parave deri në 400,000 euro.

"Të njëjtit dyshohen për disa vepra penale, për keqpërdorim të subvencioneve, për marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare", ka deklaruar Lumezi në konferencë për media, e cila u mbajt në kryeprokurori.

Lumezi ka thënë se hetimet për këtë rast do të zhvillohen edhe në ditët e ardhshme, me qëllim të sigurimit të provave shtesë dhe, siç tha ai, “për të pasur një aktakuzë të suksesshme”.

"Kemi sekuestruar një shumë të madhe të të hollave (400,000 euro) vetura, loptopë, kompjuterë, telefona, që do të na shpërbejnë në procedurën e mëtejme penale për të pasur edhe një aktakuzë apo edhe një hetim të suksesshëm" ka thënë ai .

Nazim Sahiti, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, ka deklaruar se hetimet lidhur me këtë rast kanë nisur që nga muaji janar.

"Paratë janë gjetur në shtëpitë e të dyshuarve, ku siç tha edhe kryeprokurori, ato janë përmendur gjatë gjithë kohës derisa ne kemi zhvilluar hetime. Pra, paratë dyshohet se janë fituar nga vepra penale marrje ryshfeti dhe dhënie ryshfeti", ka deklaruar ai.

Kryeministri në detyrë i Kosovës Avdullah Hoti, ka thënë se pret hetim të plotë pas aksionit policor.

“Fajtorët duhet të marrin dënimin maksimal. Këta njerëz nuk e meritojnë të jenë në institucione”, ka thënë Hoti në një postim në rrjetin social Facebook.

Ministri në detyrë i Bujqësisë Besian Mustafa, ka thënë në një konferencë për media se kërkon nga organet e hetuesisë ta çojnë deri në fund këtë rast.

“Aksionet si ky i sotmi, duhet të përjetohen si ditë të mira, ku qartësohen gjërat dhe ku drejtësia kryen punën e saj”, ka thënë mes tjerash ai.

XS
SM
MD
LG