Ndërlidhjet

Facebook bllokon llogaritë e ushtrisë së Mianmarit


Ilustrim.
Ilustrim.

Gjiganti Facebook ka bllokuar të gjitha llogaritë e mbetura, të lidhura me ushtrinë e Mianmarit (Birmanisë), duke cituar përdorimin e forcës vdekjeprurëse të ushtrisë kundër protestuesve.

Mianmari është përballur me trazira prej kur ushtria ka marrë pushtetin më 1 shkurt dhe ka ndaluar lideren e Qeverisë civile, Aung San Suu Kyi dhe një pjesë të udhëheqësisë së partisë që ajo drejton, pasi ushtria ka pretenduar se zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar janë manipuluar.

Ky vendim i rrjetit social, që ka nisur së zbatuari menjëherë, përfshin ushtrinë dhe subjektet nën kontrollin e saj, si në Facebook, ashtu edhe në Instagram.

Aty ndalohen edhe të gjitha “subjektet e lidhura me ushtrinë” që të reklamojnë në këto platforma.

“Ngjarjet prej puçit të 1 shkurtit, duke përfshirë dhunën vdekjeprurëse, kanë shpërfaqur nevojën për këtë ndalesë”, ka thënë Facebook përmes një deklarate më 25 shkurt.

Ushtria ka përdorur Facebook-un për të promovuar pretendimet e veta se mashtrimet zgjedhore kanë ndikuar në fitoren e Suu Kyisë në nëntor.

Ndërkohë, më 25 shkurt, mbështetësit dhe kundërshtarët e ushtrisë janë përleshur në rrugët e qytetit më të madh në këtë shtet, Yangon, teksa autoritetet ua kanë ndaluar studentëve që të dalin nga kampuset për të marshuar.

Forcat e sigurisë kanë rritur forcën kundër fushatës paqësore që i kërkon ushtrisë të dorëzojë pushtetin.

Tre protestues kundër puçit janë vrarë deri më tani në protesta, derisa një burrë që ka patrulluar në lagjen e tij në Yangon, kundër arrestimeve të natës, është qëlluar për vdekje po ashtu.

XS
SM
MD
LG