Ndërlidhjet

Policia largohet nga Tuzi


Bllokimi i qytetit të Tuzit
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:35 0:00

Policia malazeze ka tentuar të mbyllë të enjten në mëngjes disa biznese të gastronomisë në Komunën e Tuzit, në Mal të Zi, të cilat ishin të hapura pavarësisht masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë, për luftim të koronavirusit.

Kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj, ka thënë se masat e reja kanë për qëllim hakmarrjen për shfaqjen e fundit të flamurit të Kosovës, me rastin e ditës së shtetësisë së Kosovës më 17 shkurt, dhe jo për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Instituti i Shëndetit Publik ka renditur të mërkurën Tuzin në grupin e komunave nëpër të cilat po ashpërsohen masat e kufizimit, duke përfshirë mbylljen e plotë të objekteve hoteliere. Kjo i bëri qytetarët të protestojnë.

Në orët e paditës, policia malazeze u tërhoq nga Komuna e Tuzit, si dhe qytetarët e mbledhur, ndërkaq lokalet e gastronomisë vazhduan të punonin.

Krivokapiq: E gjitha po bëhet për shfaqje politike

Pas tensioneve në Komunën e Tuzit, që lindën pas refuzimit të autoriteteve atje për të zbatuar masa më të ashpra epidemiologjike, Qeveria e Malit të Zi tha se është e gatshme që menjëherë të bisedojë me kryetarin e Tuzit, Nik Gjeloshaj.

“Me rastin e situatës së krijuar në Komunën e Tuzit dhe mosrespektimit të masave të vlefshme epidemiologjike, me të cilat sigurohet shëndeti i qytetarëve të Tuzit dhe gjithë Malit të Zi, Qeveria është e gatshme që menjëherë të ulet me zotin Gjeloshaj dhe të zgjidhë problemin e krijuar. Interesi i shtetit dhe qytetarëve duhet të jetë mbi të gjitha interesat tjera dhe asnjë individ nuk është dhe nuk do të jetë më i fortë se shteti”, thuhet në reagimin në Twitter të Qeverisë malazeze.

Por, kryeministri malazez Zdravko Krivokapiq anuloi vizitën e paralajmëruar për të enjten në ora 14.00.

Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj njoftoi se bisedimet me qeverinë e Malit të Zi do të mbahen jashtë qytetit të Tuzit, duke mos treguar për vendin dhe kohën e takimit.

Ndërkohë në një videomesazh, Krivokapiq vlerësoi se ngjarjet në Tuz “nuk i shërbejnë nderit të askujt” dhe se “institucionet do të funksionojnë në të gjithë territorin e shtetit”.

“Nuk dua të akuzojë askënd për këtë aktivitet por është indikative që zotëri (Nik) Gjeloshaj donte të shndërronte këtë problem shëndetësor në një problem politik”, ka thënë kryemnistri malazez, Krivokapiq duke shtuar se vendosi të mos shkonte në Tuz për shkak se e gjitha po “bëhet për një shfaqje politike”.

Protesta në Tuz më 25 shkurt
Protesta në Tuz më 25 shkurt

Pretendimet e kryetarit të Komunës së Tuzit

Kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj dhe disa qytetarë herët në mëngjes e kanë bllokuar sheshin në drejtim të Podgoricës, duke thënë se nuk do të lëvizin derisa nuk shkojnë aty kryeministri Zdravko Krivokapiq dhe zëvendëskryministri, Dritan Abazoviq, me të cilët duan të bisedojnë për masat e reja dhe bllokimin e komunës.

Kryetari Gjeloshaj, ka thënë se kanë bllokuar hyrjen në qytet “për të mbrojtur kushtetutën dhe për të parandaluar diskriminimin ndaj secilit në shtet”.

“Objektet hoteliere në Tuz janë duke punuar në zbatim të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Unë e mora këtë urdhër. Jemi në Grupin e Parë, që e ka krijuar Instituti i Shëndetit Publik, por kjo është një hakmarrje e drejtpërdrejtë”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj më 25 shkurt, në Tuz.
Kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj më 25 shkurt, në Tuz.

Sipas tij, Podgorica në baza ditore regjistron 300 persona të infektuar me koronavirus, kurse Tuzi nga dy apo tre raste.

Gjeloshaj ka thënë se të mërkurën u ka nisur tërë ditën mesazhe këtyre zyrtarëve, mirëpo ata nuk janë lajmëruar nëse do të shkojnë të enjten në këtë komunë.

Ai ka thënë se i pret “nëse janë të interesuar për qytetarët”.

“Në vend që ata të vijnë, ata po dërgojnë policinë, kjo është përgjigjja që ata kanë ndaj qytetarëve të Komunës së Tuzit”.

Më herët edhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi, Genci Nimanbegu, bisedoi me kryeministrin Krivokapiq dhe shprehu shqetësimin e tij për situatën në Tuz, të krijuar nga vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë.

“Mungesa e dialogut që shoqëroi këtë vendim për të mbyllur lokalet në Tuz, nuk duhet të jetë arsye e mungesës së komunikimit të drejtpërdrejtë midis Qeverisë dhe Komunës. Bëj thirrje që ky problem të zgjidhet me urgjencë”, tha Nimanbegu.

Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve në opozitë, Luigj Shkreli, tha se kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, i mbron me të drejtë interesat e qytetarëve të tij.

“Në mënyrë paqësore, të qetë dhe me dinjitet deri në marrëveshje, ashtu siç edhe u ka hije qytetarëve të Malësisë”, shkroi Shkrela në Facebook.

Gjeloshaj e ftoi edhe zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, të shkojë në Tuz, por Abazoviq nuk u përgjigj.

Qytetarëve të Tuzit të cilët që nga mëngjesi protestuan kundër mbylljes së bizneseve në sektorin e gastronomisë në kuadër të masave të miratuara të mërkurën, ju bashkëngjiten edhe zyrtarë të partive shqiptare nga Ulqini.

Gjeloshaj ka thënë të mërkurën vonë, në një postim në rrjetin social Facebook, se nuk do të respektojë vendimin e Institutit për masat e reja.

Lidhur me këtë rast është deklaruar Prokuroria Themelore në Podogoricë, e cila ka njoftuar se është hapur rasti lidhur me deklaratën e Nik Gjeloshajt dhe se po konfirmohet “ekzistimi i bazës së dyshimit se është kryer vepër penale e thirrjes për rezistencë ose ndryshe e cila ndjeket penalisht sipas detyrës zyrtare”.

Aktualisht në Tuz janë 95 persona të infektuar me koronavirus, dhe kjo komunë gjendet në zonën e ashtuquajtur të gjelbër, ku shkalla e epidemisë nuk është në rritje.

Tuzi është qytet me shumicë shqiptare, 10 kilometra larg Podgoricës.

XS
SM
MD
LG