Ndërlidhjet

Grenell akuzon Kurtin që është “anti-amerikan”


Ish i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë Richard Grenell.

Ish i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë Richard Grenell, ka thënë të martën se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Albin Kurti është anti-amerikan.

Në një postim në rrjetin social Twitter, Grenell ka thënë se Kurti ka qenë kundër politikave amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët amerikanë si Bill Clinton, Barack Obama dhe Donald Trump

Sipas tij, ekipi i presidentit amerikan Joe Biden, duhet ta ndalojë këtë gjë.

Grenell i ka bërë këto komente teksa ka shpërndarë një artikull të së përditshmes izraelite Haaretz, në të cilin, duke u thirrur në një komunikatë të LVV-së lidhur me takimin e Kurtit me ambasadorin turk në Prishtinë Çağri Sakar, është thënë se në presion të Turqisë, Kosova mund të ndryshojë vendimin për të hapur ambasadën e saj në Jerusalem.

Hapja e ambasadës në Jerusalem është e paraparë me marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Në dokumentin e nënshkruar nga Kosova, është paraparë njohja e ndërsjellë me Izraelin, ndërkaq, në rastin e Serbisë, është paraprarë zhvendosja e ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, kanë zyrtarizuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi atë ditë ka deklaruar se ka miratuar kërkesën e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla që Kosova të hapë ambasadën në Jerusalem.

Çfarë u tha për ambasadën në takimin e Kurtit me ambasadorin turk?

Çështja e ambasadës së Kosovës në Izrael ka qenë temë diskutimi më 1 mars edhe në mes të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit dhe ambasadorit turk në Prishtinë Çağri Sakar.

Kurti ka paralajmëruar se do ta shqyrtojë çështjen se në cilin qytet do të vendoset ambasada, në Tel Aviv apo Jerusalem, duke shtuar se për këtë gjë do të shohin “edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”.

Megjithatë, Kurti ka thënë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit është e rëndësishme dhe "mundësi e mirë për zhvillim".

Ambasada turke në Prishtinë kishte kundërshtuar më herët hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“Biden i ka kërkuar Kurtit të mbështesë demarkacionin”

Në një tjetër postim në Twitter, Grenell ka thënë se Kurti ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, duke tentuar të ndalojë demarkacionin e Kosovës me Malin e zi, hap që ishte përkrahur nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama.

“Joe Biden i ka bërë thirrje po ashtu Kurtit atëbotë që të mbështesë demarkacionin – por ai ishte kthyer drejt terrorizimit”, ka thënë Grenell.

Në prill të vitit të kaluar, Kurti pati thënë se Grenell ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në krizën politike në Kosovë.

Ai i ishte referuar rrëzimit të qeverisë së tij më 25 mars, përmes një mocioni të mosbesimit të nisur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke thënë se qeveria e tij është rrëzuar vetëm pse Grenelli është ngutur për të nënshkruar marrëveshje me Serbinë.

Në një takim mes Kurtit dhe ambasadorit amerikan në Prishtinë Philip Kosnett, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, lideri i LVV-së është cituar t’i ketë thënë Kosnettit se në të ardhmen Kosova do të ketë mundësi të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara në projekte që “ndihmojnë shtetndërtimin demokratik, zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve tona”.

Në këtë proces zgjedhor, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar rreth 48 për qind të votave.

XS
SM
MD
LG