Ndërlidhjet

Hoti: Në mars pritet të arrijnë 33 mijë doza të vaksinës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti tha se gjatë muajit mars pritet të arrijë kontingjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinave nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Nga ky mekanizëm Kosova do të përfitojë 100 mijë e 800 doza të vaksinës kundër COVID-19, ndërkohë që janë duke u zhvilluar negociata intensive edhe me prodhues të tjerë për të siguruar numrin e nevojshëm të vaksinave me qëllim të imunizimit të plotë të popullsisë”, thuhet në njoftimin për media nga zyra e Hotit.

Kosova është vendi i vetëm në Evropë që ende nuk ka siguruar asnjë dozë të vaksinave kundër koronavirusit. Shtetet fqinje, siç është Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, tashmë kanë nisur imunizimin e popullatës së tyre me vaksina të prodhuesve të ndryshëm.

Kosova me zero vaksina në Ballkan

Kosova me zero vaksina në Ballkan
Kosova me zero vaksina në Ballkan

Më herët, Qeveria në detyrë e Kosovës, kishte njoftuar se ka arritur marrëveshje me kompaninë amerikane, Pfizer, për sigurimin e mbi 500 mijë dozave të vaksinës, por nga kjo kompani, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ende janë në bisedime me ekzekutivin e Kosovës.

Nga programi i COVAX-it – që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vendet e varfra – Kosova pritet të marrë doza të vaksinës së kompanisë farmaceutike britanike, AstraZeneca, që e ka prodhuar së bashku me Universitetin e Oxford-it.

Kjo vaksinë, sipas OBSH-së, ka efikasitet prej 63.9 për qind kundër sëmundjes COVID-19.

Hotit sot është takuar me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani dhe drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, ku siç njoftohet, kanë vlerësuar se Kosova gjendet “para një vale të re të shpërthimit të pandemisë COVID-19”.

Kryeministri në detyrë ka bërë thirrje që qytetarët dhe institucionet të respektojnë masat kundër pandemisë.

Ditët e fundit, Kosova ka regjistruar rritje të rasteve me koronavirus. Vetëm në shtatë ditët e fundit janë regjistruar 3.438 raste të reja.

XS
SM
MD
LG