Ndërlidhjet

Papa Françesku viziton rajonin e zotëruar dikur nga IS-i


Pamje nga vizita e Papa Françeskut në Irak.

Papa Françesku ka arritur të dielën në veri të Irakut, ku pritet të lutet në gërmadhat e kishave të shkatërruara nga grupi ekstremist Shteti Islamik (IS), dhe të mbajë një meshë të ambient të hapur, në ditën e fundit të vizitës historike në këtë shtet.

Lideri i Kishës Katolike, 84-vjeçar, ka nisur vizitat të dielën pasi ka arritur në aeroportin e Irbilit, ku është përshëndetur nga fëmijët e veshur me fustane tradicionale, derisa njëri prej tyre ka qenë i veshur si vetë Papa.

Më vonë ai do të udhëtojë në Mosul – dikur qendër e IS-it për tre vjet, për t’u lutur për viktimat e luftës në Irak.

Ai do të kryejë lutjet në qytetin e rrethuar nga katër kisha të dëmtuara.

Papa më pas do të vizitojë kishën më të madhe në Irak, e cila është shkatërruar pjesërisht nga militantët e IS-it afër Qaraqosh-it, hapësirë në të cilën janë kthyer të krishterët prej humbjeve që ka pësuar IS-i.

Ai pritet të përfundojë ditën me një meshë në stadiumin në Irbil, në të cilin pritet të mblidhen rreth 10,000 persona.

Më 6 mars, Papa është takuar me një klerik të lartë shiit, Ayatollahun Ali al-Sistani, në qytetin e shenjtë Najaf, teksa Papa ka tentuar të dërgojë mesazh për bashkëjetesë paqësore, si dhe të fuqizojë pakicën e krishterë në Irak.

Vizita është transmetuar drejtpërdrejt në televizion, dhe banorët janë parë duke përshëndetur takimin e liderëve fetarë.

Pakica e krishterë në Irak dikur vlerësohej se përbëhej nga 1.4 milion banorë.

Mirëpo si pasojë e konflikeve, tani besohet se në Irak janë rreth 300,000 të krishterë, shumica prej të cilëve janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Irakianët kanë mirëpritur vizitën dhe vëmendjen ndërkombëtare që i është dhënë shtetit të tyre, i cili tenton të rimëkëmbet nga dekada të luftës dhe trazirave.

Shtete tjera me shumicë myslimane, që ka vizituar Papa Françesku në të kaluarën janë: Turqia, Jordania, Azerbajxhani dhe territoret palestineze.

XS
SM
MD
LG