Ndërlidhjet

Edhe Besian Mustafa kandidat për kryetar të LDK-së


Foto arkivi e një mbështetësi të LDK-së.

Besian Mustafa u bë zyrtari i katërt i Lidhjes Demokratike të Kosovës që shpalli kandidaturën për kryetar të kësaj partie.

Mustafa njoftoi për vendimin e tij përmes një postimi në Facebook.

“LDK-ja ka nevojë për reformim, por jo për denigrim. Duke i shprehur mirënjohjet më të larta e më të thella për kontributin shumëvjeçar gjithsecilit vendimmarrës të deritanishëm të LDK-së, tani gjithsecili e ka të qartë që udhëheqja e LDK-së duhet t’i kalojë gjeneratës së re politike, jo në kuptimin e moshës, por në kuptimin e ideve, mendimeve dhe veprimeve që përkojnë me rrethanat politike të 10 vjetëve të ardhshëm”, tha Mustafa.

Mustafa është ministër i Bujqësisë në Qeverinë në detyrë të Kosovës.

Kanidaturat për të parin e LDK-së i kanë shpallur edhe Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku dhe Anton Quni.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë kuvendin e saj zgjedhor më 14 mars, kur edhe pritet zgjedhja e kryetarit të ri.

Kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa, ka vendosur ta thërrasë kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, për të ofruar dorëheqjen e tij.

Vendimi ka pasuar rezultatin e dobët të LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Në këto zgjedhje, LDK-ja ka dalë partia e tretë, me gjysmë vota më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.

XS
SM
MD
LG