Ndërlidhjet

Hoxhaj për pozitën e presidentit: Para se të flitet për personin, duhet të flitet për parime


Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë të hënën se ka pasur një takim shumë të mirë me ushtruesen e detyrës së presidentit në Kosovë, Vjosa Osmani dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

“Qasja jonë në takim ka qenë konstruktive, parimore, ne kemi pasur kërkesa dhe çështje të qarta, të cilat i kemi ngritur”, ka thënë ai para gazetarëve.

Hoxhaj ka thënë se PDK-ja ka krijuar një listë me tema, për të cilat ka kërkuar të di qëndrimin e Kurtit dhe Osmanit, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Sipas tij, qëndrimi i tyre dhe diskutimi i këtyre çështjeve brenda PDK-së do të përcaktojnë qasjen e PDK-së ndaj qeverisë së re.

Në mesin e temave që ka përmendur Hoxhaj kanë qenë:

  • distancimi i Kurtit nga “dhuna politike”
  • qëndrimi për dialogun me Serbinë, "pas deklaratave të dikurshme të Kurtit se pa kërkuar falje Serbia dhe pa gjetur të gjithë të pagjeturit nuk ulet në takim me Beogradin"
  • qëndrimi pas deklaratave për anulim të Marrëveshjes për Asociacionin
  • çështja e demarkacionit me Malin e Zi, dhe "dilema nëse do të kthehet kufiri në Zhleb dhe Qakorr"
  • nëse do të respektohet Marrëveshja e Uashingtonit
  • qëndrimi për Mini-Shengenin Ballkanik
  • qëndrimi për moratorium njëvjeçar për mosanëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe
  • çështja e reciprocitetit

Sa i përket rolit të presidentit, Hoxhaj ka thënë se para se të flitet për personin, duhet të flitet për parime.

“Natyrisht se Kosova ka nevojë për stabilitet, për qartësi politike dhe ne kemi nevoje për liderë shtetërorë, që bashkojnë skenën politike dhe krijojnë unitet te populli”, ka thënë ai.

“Ne kemi kërkuar nga Kurti dhe Osmani qartësi për qasjen e tyre në raport me politikën e jashtme, meqë presidenti i ardhshëm i vendit ka rol në përfaqësimin e politikës sonë dhe qeveria ka rol në formimin e politikës së jashtme”.

Pas takimit me Hoxhajn, Osmani dhe Kurti pritet të takojnë përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Një tjetër takim me Lumir Abdixhikun, kryetarin e ri të Lidhjes Demokratike të Kosovës është planifikuar po ashtu të hënën, por, Abdixhiku ka thënë se nuk do të arrijë të marrë pjesë në takim sepse i duhet të dalë në zyret e LDK-së, në ditën e parë si kryetar i kësaj partie.

Kurti dhe Osmani kanë bërë këto ftesa, pasi Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Kurti synon postin e kryeministrit, derisa Osmani, e cila ka garuar në listën e LVV-së synon mandat të plotë si presidente.

XS
SM
MD
LG