Ndërlidhjet

Haradinaj: Përgjegjësi e Kurtit dhe Osmanit t’i bëjnë votat për presidentin


Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje që t’i sigurojë votat e nevojshme në Kuvendin e ri për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Haradinaj i bëri këto komente pas takimit konsultativ që pati me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, dhe kreun e LVV-së, Albin Kurti.

“Fituesit e zgjedhjeve e gjejnë formulën për ta krijuar Qeverinë; dy të tretat për presidentin janë në përgjegjësinë e tyre”, deklaroi Haradinaj pas takimit, në të cilin u bisedua për krijimin e institucioneve të reja.

Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, ndërsa Osmani, e cila në këto zgjedhje garoi në kuadër të listës së LVV-së, po kërkon një mandat të plotë në krye të shtetit.

Edhe Haradinaj ka garuar në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, duke e propozuar veten për postin e presidentit.

Pas takimit konsultativ me Osmanin dhe Kurtin, ai nuk tregoi nëse ka hequr dorë nga ambicia për postin e presidentit.

Kreu i AAK-së tha se në përbërjen e re parlamentare, partia e tij do të jetë një opozitë konstruktive.

“U dakorduam që në sfidat që i ka Kosova, në këto funksione, pra ne si opozitë, pra Aleanca, të bashkëpunojmë për tema të interesit nacional, çdoherë duke e ruajtur vendin”, tha Haradinaj.

Më 13 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse në Kuvend.

Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë.

XS
SM
MD
LG