Ndërlidhjet

Kisha Katolike s’mund të bekojë bashkimin e çifteve homoseksuale


Papa Françesku
Papa Françesku

Kisha Katolike nuk e ka fuqinë të bekojë bashkimin e çifteve të gjinisë së njëjtë, tha të hënën Zyra e Vatikanit, përgjegjëse për doktrinën.

Është “e pamundur” që Zoti “të bekojë mëkatin”, tha Kongregacioni për Doktrinën e Besimit.

Në muajin tetor, Papa Françesku ka thënë në një dokumentar se ai mendon se çiftet e gjinisë së njëjtë duhet të lejohen të bëjnë “bashkime civile”.

Në Kishën Katolike, bekimi jepet nga një prift ose një ministër tjetër, në emër të Kishës.

Të hënën, Papa Françesku e miratoi përgjigjen e Kongregacionit për Doktrinën e Besimit, duke thënë se ajo “nuk synon të jetë një formë e diskriminimit të padrejtë, por përkundrazi një kujtesë e së vërtetës së ritit liturgjik”.

Kongregacioni vuri në dukje se martesa midis një burri dhe një gruaje është e shenjtë, prandaj “bekimet nuk mund të shtrihen te çiftet e gjinisë së njëjtë”.

Në vitin 2013, Papa Françesku ka thënë: “Kush jam unë për t’i gjykuar njerëzit homoseksualë?”

Në dokumentarin e vitit të kaluar të regjisorit izraelito-amerikan, Evgeny Afineevsky, Papa ka thënë se “njerëzit homoseksualë kanë të drejtë të jenë në një familje... ata janë fëmijë të Zotit dhe kanë të drejtë për familje”.

Vatikani më vonë ka bërë përpjekje t’i sqarojë komentet, duke thënë se ato janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe se nuk kanë shprehur mbështetje për martesat midis çifteve të gjinisë së njëjtë.

XS
SM
MD
LG