Ndërlidhjet

Turqia dhe Greqia mbajnë bisedime të reja mbi mosmarrëveshjen detare


Anijet turke në Mesdhe. Foto nga arkivi.

Delegacionet e Greqisë dhe Turqisë do të takohen të martën në Athinë për të bërë përpjekje që të arrijnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi kufijtë detarë në Mesdheun Lindor dhe të drejtat e kërkimeve të gazit. Ankaraja të hënën u dërgoi notë diplomatike Izraelit, Greqisë dhe Bashkimit Evropian, njoftuan media turke.

Ajo u tha atyre se duhet të kërkojnë lejen e saj, përpara çdo aktiviteti në ujërat e diskutueshme të Mesdheut lindor, njoftoi të hënën media shtetërore turke.

Si Greqia, ashtu edhe Turqia thirren në një sërë traktatesh dekadash të vjetra dhe marrëveshjeve ndërkombëtare për të mbështetur pretendimet e tyre territoriale.

Tensionet u përshkallëzuan vitin e kaluar kur Ankaraja dërgoi një anije kërkimore në ujërat pranë bregdetit turk, për të cilët Greqia ka pretendime.

Këto ujëra mendohet të jenë një burim i mundshëm i rezervave të gazit natyror.

Takimi i së martës pason diskutimet në Stamboll, në janar, të cilat u mbajtën pas presionit të Bashkimit Evropian.

Athina, deri më tani, ka shfaqur interesim që të diskutojë vetëm për kufirin përreth Egjeut, ku disa ishuj të saj shtrihen afër territorit turk.

Ankaraja megjithatë insiston që bisedimet duhet të përfshijnë përcaktimin e zonave ekskluzive ekonomike dhe hapësirës ajrore të të dyja shteteve.

XS
SM
MD
LG