Ndërlidhjet

OBSH: Përfitimet nga vaksina AstraZeneca i tejkalojnë rreziqet


Vaksina AstraZeneca kundër COVID-19.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha të mërkurën se përfitimet nga vaksina e AstraZeneca-s tejkalojnë rreziqet e saj, dhe rekomandoi që vaksinimet të vazhdojnë.

Muajin e kaluar OBSH-ja e miratoi për përdorim emergjent vaksinën e AstraZeneca dhe Universitetit të Oksfordit, duke mundësuar qasjen në vaksina më të lira për vendet në zhvillim.

Por, disa vende evropiane kanë pezulluar përdorimin e kësaj vaksine kundër sëmundjes COVID-19, pas disa shqetësimeve që ndërlidhen me mpiksjen e gjakut.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka thënë se po heton raportet për çrregullime të pazakonta të gjakut te 30 persona nga 5 milionë sa janë imunizuar me vaksinën e AstraZeneca-s.

Rregullatori i BE-së pritet të dalë me gjetjet e tij të enjten. Kreu i këtij institucioni, Emer Cooke, tha se nuk pa arsye për të ndryshuar rekomandimin që vaksina e AstraZeneca – të jetë në listën e katër vaksinave që janë miratuar për përdorim.

OBSH tha se Komiteti i tij Global Këshillëdhënës për Sigurinë e Vaksinave po vlerëson me kujdes të dhënat e fundit në dispozicion të sigurisë së kësaj vaksine.

"Sapo të përfundojë ai rishikim, menjëherë do t'i komunikojmë gjetjet", tha OBSH në deklaratën e saj një ditë pasi ekspertët e saj mbajtën një takim me dyer të mbyllura.

"Aktualisht OBSH konsideron se përfitimet nga vaksina AstraZeneca tejkalojnë rreziqet e saj dhe rekomandon që vaksinimet të vazhdojnë", shtoi deklarata.

Kate O’Brien, shefe e Departamentit të Imunizimit të OBSH-së, tha se paneli i sigurisë së vaksinave po kryen hulumtime për të zbuluar nëse efektet anësore të tilla si mpiksjet e gjakut kishin lidhje me vaksinimin.

“Ato janë vaksina shumë të efektshme, janë vaksina që shpëtojnë jetën, janë vaksina të sigurta dhe ne duhet të vazhdojmë me vaksinimin”, tha O’Brien në një konferencë për shtyp, transmeton Reuters.

XS
SM
MD
LG