Ndërlidhjet

Haradinaj: Pjesëmarrja në secilën seancë do të diskutohet veç e veç


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë të enjten se, partia që drejton ai, do të jetë pjesë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Për secilën seancë tjetër, Haradinaj ka thënë se grupi parlamentar i AAK-së do të diskutojë veç e veç.

"Nuk kam përgjigjje sot", ka thënë Haradinaj, teksa është pyetur nëse do të qëndrojë në sallë AAK-ja kur të votohet për pozitën e presidentit.

Haradinaj i ka bërë këto komente pas takimit që ka zhvilluar me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili ka nisur vizitën e tij në Kosovë, me qëllim të diskutimit të procesit të regjistrimit të popullsisë së diasporës.

Ditë më parë, Haradinaj ka thënë se është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje që t’i sigurojë votat e nevojshme në kuvendin e ri, për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

“Fituesit e zgjedhjeve e gjejnë formulën për ta krijuar Qeverinë; dy të tretat për presidentin janë në përgjegjësinë e tyre”, ka thënë Haradinaj pas takimit që ka pasur të hënën me ushtruesen e detyrës së presidentit Vjosa Osmani dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, ndërsa Osmani, e cila në këto zgjedhje ka garuar në kuadër të listës së LVV-së, po kërkon një mandat të plotë në krye të shtetit.

Edhe Haradinaj ka garuar në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, duke e propozuar veten për postin e presidentit.

Pas takimit konsultativ me Osmanin dhe Kurtin më 15 mars, ai nuk ka treguar nëse ka hequr dorë nga ambicia për postin e presidentit.

Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, më 22 mars është caktuar të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, ku pritet që 120 deputetët e rinj të bëjnë betimin dhe të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e këtij institucioni.

Konstituimi i kuvendit i hap rrugë formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.

XS
SM
MD
LG