Ndërlidhjet

Kosnett: SHBA, e përkushtuar që qeveria e ardhshme të ketë sukeses


Ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett.
Ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett.

Ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett ka thënë të enjten se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për t’i ndihmuar qeverisë së re që të ketë sukses dhe të sigurojë vendin e vet si partnere e barabartë në Evropë dhe brenda komunitetit ndërkombëtar.

Ai i ka bërë këto komente pas takimit që ka zhvilluar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe ekipin e tij.

Kosnett ka thënë përmes një postimi në Twitter se takimi është pjesë e një serie diskutimesh që është duke zhvilluar për prioritetet e përbashkëta të SHBA-së dhe Kosovës.

Sipas ambasadorit amerikan, diskutimet e së enjtes janë fokusuar në investime për energji dhe diversifikim, duke përfshirë mundësitë e energjisë së ripërtrishme, që do të nxisin rritjen ekonomike të Kosovës në të ardhmen.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Kurti ka thënë se synon të formojë qeverinë e re vetëm me votat e komuniteteve joserbe në Kosovë.

Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, më 22 mars është caktuar të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, ku pritet që 120 deputetët e rinj të bëjnë betimin dhe të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e këtij institucioni.

Konstituimi i kuvendit i hap rrugë formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.

XS
SM
MD
LG