Ndërlidhjet

Krasniqi: Po rëndohet situata me pandeminë


Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi ka thënë të enjten se situata me pandeminë e koronavirusit është duke u rënduar në Kosovë, nga dita në ditë.

“Ne po shohim çdo ditë numër më të madh të pacientëve që po kërkojnë hospitalizim. Sot kemi 780 pacientë në shtatë spitalet e përgjithshme dhe në klinikat COVID, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.

Sipas tij 36 pacientë janë në gjendje kritike dhe po trajtohen në repartin e kujdesit intensiv, derisa mbi 500 pacientë janë në oksigjenoterapi të vazhdueshme.

Ai ka thënë se në Komitetin për menaxhimin e pandemisë, në nivel të SHSKUK-së, është vendosur se do t’i dërgohet një shkresë Qeverisë në detyrë të Kosovës, që të shqyrtojë mundësitë për zgjerim të kapaciteteve tjera alternative.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka thënë të enjten, pas një vizite në në Klinkën e Onkologjisë, se rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus, është e lehte dhe e menaxhueshme.

“Situata epidemiologjike kohëve të fundit ka pasur një rritje, ne e quajmë të lehtë, por e quajmë të kontrollueshme dhe të menaxhueshme, duke thirrur gjithmonë që të ketë shtim të kujdesit, sepse çdo rritje eventuale ka ngarkesa, mbingarkesa për klinikat tona, të cilat jo rrallëherë është dashur t’i shndërrojmë në klinika të COVID-19”, ka deklaruar ai.

Prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë, më 13 mars të vitit të kaluar, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 79.793 raste të infektimit.

Prej tyre 1.736 kanë vdekur.

Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit.

Skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVOX, përmes së cilës pritet të shpërndahen vaksinat për koronavirus në vendet e varfra, ka bërë të ditur se Kosova mund të furnizohet me këtë vaksinë deri në muajin maj.

Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.

Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ende janë në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina.

XS
SM
MD
LG