Ndërlidhjet

Kryeministri armen shpall zgjedhjet e parakohshme parlamentare


Kryeministri armen Nikol Pashinian.

Kryeministri armen Nikol Pashinian, është pajtuar për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme në qershor, në përpjekje për të zbutur krizën politike, të nxitur nga lufta e vjeshtës së kaluar me Azerbajxhanin, për rajonin e Nagorno-Karabakut.

Pashinian ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Facebook më 18 mars se, pas bisedimeve me grupet opozitare, është arritur pajtueshmëri që zgjedhjet të mbahen më 20 qershor.

Armenia është përballur me trazira politike prej nëntorit të vitit të kaluar, kur Pashinian ka nënshkruar një marrëveshje për armëpushim me Azerbajxhanin, të ndërmjetësuar nga Moska, e cila u ka dhënë fund gjashtë javëve të luftimeve në dhe rreth Nagorno-Karabakut.

Sipas marrëveshjes, Nagorno-Karabaku dhe shtatë rajonet rreth tij, tani janë nën administrimin e Azerbajxhanit, pas kontrollimit për gati 30 vjet nga forcat etnike armene.

Një koalicion i 16 partive opozitare ka mbajtur protesta kundër qeverisë në Jerevan dhe pjesë tjera të Armenisë, duke kërkuar që Pashinian të largohet nga pushteti për shkak të menaxhimit të luftës.

Si pasojë e konfliktit është thënë se kanë vdekur 6,000 persona.

Rajoni i Nagorno-Karabakut njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, mirëpo armenët etnikë, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë atje, refuzojnë regjimin azerbajaxhanas.

Ata kanë menaxhuar vetë punët e tyre, me mbështetjen e Armenisë, prej kur trupat ushtarake të Azerbajxhanit dhe civilët azerbajxhanas janë larguar nga ky rajon dhe shtatë distrikte tjera, në luftën që ka përfunduar me armëpushim, më 1994.

XS
SM
MD
LG