Ndërlidhjet

Zyrtarët e lartë të BE-së: Dialogu me Beogradin mbetet çështje kyçe për Kosovën


Flamuri i BE-së.
Flamuri i BE-së.

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian në urimet e tyre për zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës kanë theksuar rëndësinë e vazhdimit të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve.

“Presim që të punojmë së bashku për të sjellë një përfundim të suksesshëm të dialogut Beograd-Prishtinë. Kjo është thelbësore për rrugën evropiane. BE-ja mbështet plotësisht agjendën e reformave dhe trajtimin e COVID-19”, ka shkruar në Twitter, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka uruar formimin e institucioneve të reja të Kosovës, duke rikujtuar se dialogu me Beogradin dhe normalizimi i raporteve është çështje kyçe.

“Pres që të punoj së bashku me ju për të çuar përpara reformat në rrugën evropiane dhe vazhdimin e luftës kundër COVID-19”, ka shkruar në rrjetin social Twitter, Varhelyi.

Një zëdhënës i BE-së ka thënë se tash është thelbësore që Kuvendi të zgjedh edhe presidentin për të ndihmuar që Kosova të sigurojë qartësinë politikë që i duhet. Ai ka përsëritur se BE-ja pret që qeveria e re menjëherë të angazhohet në dialog me Beogradin të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në urimin e tij për formimin e qeverisë së Kosovës ka përsëritur gatishmërinë e BE-së për të vazhduar lehtësimin e dialogut.

Krahas dialogut, BE-ja pret që qeveria e re e Kosovës të vazhdojë procesin e reformave, sidomos në sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit.

Sa i takon pandemisë, BE disa herë kanë thënë se janë të gatshëm të ndihmojnë Kosovën, por kjo ndihmë, deri tash, nuk ka përfshirë edhe dhënien e një sasie të dozave të vaksinave, siç kishte premtuar BE-ja.

Në selinë e BE-së në Bruksel thonë se “BE-ja vazhdon të jetë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Kosovë” dhe përmendin ndihmën materiale dhe financiare që kanë dhënë deri më tash për përballje me pandeminë.

Të hënën (22 mars) Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur qeverinë e re të udhëhequr nga kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti. Pro përbërjes së kabinetit të ri qeveritar votuan 67 deputetë ndërsa 30 ishin kundër.

Gjatë prezantimit të ekspozesë së tij para deputetëve, Kurti tha se “rruga drejt integrimit në BE mund të jetë sfiduese por ajo nuk ka alternativë për Kosovën”.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit u mbajtën pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 21 dhjetor, 2020, sipas të cilit, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr në atë kohë nga Avdullah Hoti, ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, pasi për të ka votuar Etem Arifi.

Në kohën kur ka votuar, Arifi ka pasur një dënim të formës së prerë, prej një viti e tre muajsh, për veprën penale: mashtrim me subvencione.

XS
SM
MD
LG