Ndërlidhjet

Quint: Detyra e parë, zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës


Fotografi ilustruese.

Shtetet e Quint-it thonë se detyra e parë e institucioneve të reja të Kosovës është zgjedhja e presidentit të ri të vendit.

Përmes një deklarate, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, kanë uruar Kosovën për zgjedhjen e kuvendit dhe qeverisë së re.

“Në këtë kohë të pandemisë dhe sfidave ekonomike, Kosova ka nevojë për udhëheqësi të vendosur dhe institucione qeverisëse funksionale që sigurojnë stabilitet, përfshirë edhe presidencën. Adresimi i këtyre sfidave do të kërkojë që prijësit e partive politike dhe deputetët e zgjedhur tani t’i vënë nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi çështjet partiake politike dhe që opozita dhe qeveria të punojnë për prioritetet e përbashkëta, e detyra e parë është zgjedhja e presidentit të ri”, thuhet në deklaratë.

Më 22 mars, u konstituua Kuvendi i ri dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Sfida e radhës për partinë e Kurtit është që të zgjedhë edhe presidentin e ri të vendit. Për këtë post, kjo parti ka nominuar Vjosa Osmanin.

Por, Osmani nuk po përkrahet nga partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkaq, ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk e ka bërë të qartë nëse do ta votojë ose jo Osmanin për një mandat pesëvjeçar në krye të shtetit. Ndërkaq, partitë e komuniteteve joserbe kanë shprehur përkrahjen e tyre për Osmanin.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Që nga 5 nëntori deri më 22 mars, këtë post e ushtroi Osmani dhe pas zgjedhjes në krye të kuvendit, Glauk Konjufca mori edhe detyrën e ushtrimit të postit të presidentit.

Që një person të zgjidhet president i Kosovës, sipas kushtetutës, në dy raundet e para të votimit duhet të sigurojë dy të tretat e votat të Kuvendit të Kosovës prej 120 ulësesh. Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

XS
SM
MD
LG