Ndërlidhjet

Rusia dhe Kina i dënojnë sanksionet e Perëndimit


Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi. Guilin, 23 mars, 2021.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi. Guilin, 23 mars, 2021.

Rusia dhe Kina i dënuan bashkërisht sanksionet e Perëndimit, një ditë pasi Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja futën në listën e zezë disa zyrtarë të lartë kinezë për, siç thanë, abuzime me të drejtat e ujgurëve.

Deklarata e përbashkët u bë gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në Guilin të Kinës Jugore.

Lavrov tha se “vendimet e njëanshme” të BE-së “i kanë shkatërruar” lidhjet me Rusinë.

Homologu i tij kinez, Wang Yi, tha se epoka e ndërhyrjes në çështjet e brendshme të Kinës “ka marrë fund përgjithmonë”.

Është hera e parë që BE-ja i ka vënë sanksione Kinës për abuzim me të drejtat e njeriut, që nga protestat pro demokracisë në Sheshin Tiananmen, më 1989.

Më herët, aleatët perëndimorë kanë sanksionuar edhe zyrtarë rusë, të afërt me presidentin Vladimir Putin, për një varg çështjesh.

Sanksionet kanë pasuar aneksimin e Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014, ndërhyrjen e pretenduar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, dhe sulmet me agjent nervor kundër ish-spiunit rus, Sergei Skripal, më 2018, dhe kundër udhëheqësit rus të opozitës, Aleksei Navalny, më 2020.

Kremlini i mohon akuzat e Perëndimit.

Kina ka arrestuar së paku një milion ujgurë - kryesisht myslimanë - duke i vendosur në kampe në rajonin veriperëndimor të Ksinjiangut. Atje dyshohet se bëhen tortura, punë të detyrueshme dhe abuzime seksuale.

Kina i mohon akuzat e Perëndimit, duke thënë se kampet janë objekte “riedukimi”, që përdoren për të luftuar terrorizmin.

Lavrov tha se ai dhe Wang u pajtuan se sanksionet janë “të papranueshme”.

Wang tha se vendet e fuqishme “nuk duhet të përzihen në punët e brendshme të të tjerëve, ose të përdorin flamurin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut për të ndërtuar fuqinë e tyre”.

XS
SM
MD
LG