Ndërlidhjet

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së: Pandemia po na i vështirëson hetimet


Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Në konferencën e katërt statusore të mbajtur para Dhomave të Specializuara në Hagë, mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deklaroi se hetimet e tyre po vështirësohen për shkak të pandemisë, si nga mungesa e informacioneve të dhëna nga prokuroria. Po ashtu, ata thanë se dosja paraprake e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, është "jetike" për hetimet e tyre.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Avokati i Thaçit, Prierre-Richard Prosper tha se ata e kanë të pamundur që të nisin hetimet në muajin prill.

"Nuk mund të fillojmë hetimet e mbrojtjes në prill për shkak se nuk kemi marrë të gjitha materialet nga prokuroria", tha ai.

Ndërkaq, avokati i Veselit, Ben Emmerson tha se problem paraqet edhe pandemia e koronavirusit. Ai theksoi se disa prej hetuesve në ekipin e tij, tashmë janë prekur nga koronavirusi, andaj ai tha që hetimet janë shtyrë për 2-3 javë.

Edhe mbrojtësi i Selimit, David Young tha se pandemia është bërë pengesë e hetimeve. Kjo sipas tij ka bërë që "të kemi hapa më të ngadaltë të hetimeve".

Ai madje theksoi situatën me pandeminë në Kosovë, ku tha se ky vend nuk ka siguruar asnjë vaksinë, e është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur imunizimin.

Mbrojtja planifikon, që për të përgatitur rastin e saj për gjykim, të vizitojë edhe Kosovën, që të intervistojë dëshmitarë, që do të mund të shërbenin për rastin e tyre.

Në këtë konferencë statusore nuk është diskutuar lidhur me datën eventuale të nisjes së gjykimit.

Kërkesat e mbrotjes për dëshmitarët

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou njoftoi se mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit kanë paraqitur kërkesa me shkrim që të kenë qasje në intervistat dhe dokumentet e tjera të dëshmitarëve.

Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se bëhet fjalë për deklaratat e 19 dëshmitarëve. Prokuroria tha se janë duke punuar që të nxjerrin materialet, por theksoi se kërkesa e mbrojtjes ka të bëjë me deklaratat paraprake dhe jo për intervistat e dhëna pranë Prokurorisë.

Por, avokati i Thaçit, David Hooper u shpreh kritik ndaj sistemit të nxjerrjes së materialeve, duke e cilësuar atë si jo të dobishme, ndërkaq theksoi se atmosfera në mes të mbrojtjes dhe prokurorisë është "gjithnjë e jo më bashkëpunuese".

"Nxjerrja (e materialeve) të bëhet e vazhdueshme. Të na jepet komplet, shembull paketën e dëshmitarit A dhe çdo dokument që lidhet me të, që ta mund ta shqyrtojmë deklaratën e tij", tha ai, duke shtuar se mbrojtja po ashtu kërkon një listë paraprake të dëshmitarëve që prokuroria dëshiron t'i përdorë në gjykim.

Ai po ashtu kërkoi që të ketë dokumente të lidhjes së dëshmitarëve dhe materialeve që i dorëzohen mbrojtjes.

Hooper madje tha se ndonëse prokuroria iu ka ofruar dokumentin prej 60-70 faqesh të intervistës së Thaçit para Dhomave të Specializuara - që e ka dhënë në korrikun e kaluar - ky institucion nuk i ka ofruar mbrojtjes dokumentet që i janë paraqitur Thaçit gjatë intervistimit.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou e pranoi këtë kërkesë të mbrojtjes dhe urdhëroi Zyrën e Prokurorit të Specializuar që t'ia dorëzojë mbrojtjes të gjitha dokumentet që u janë prezantuar të akuzuarve gjatë intervistimit.

Ai tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar, në të ardhmen duhet të prioritizojë nxjerrjen e materialeve që kanë të bëjnë me dëshmitarët, dhe të cilat mund të jenë materiale shfajësuese. Giullou po ashtu tha se prokuroria duhet t'i nxjerrë intervistat e dëshmitarëve në të njëjtën dosjen e nxjerrjes së informacioneve.

"Kjo do ta ndihmonte mbrojtjen në punën e saj", tha ai.

Mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit po ashtu kanë kërkuar që prokuroria t'u jap materiale audio-vizive të dëshmitarëve të intervistuar, pasi thanë se mund të ketë pasur lëshime gjatë përkthimit të dëshmive. Por, përmes një urdhri, kjo kërkesë u hodh posht nga gjykatësi Guillou, duke argumentuar se transkriptet e intervistiave janë të mjaftueshme që mbrojtja të shikojë nëse ka pasur ndonjë lëshim gjatë përkthimit të dëshmisë së dëshmitarëve.

Dosja paraprake

Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se deri në javën e dytë të shtatorit pret që të bëjë nxjerrjen e materialeve, duke lënë të kuptohet se nuk mund ta nxjerrë dosjen paraprake apo paragjyqësore të rastit.

Dosja paraprake përmban për çdo akuzë një përmbledhje të provave, të cilat Prokurori i Specializuar synon t’i paraqesë në lidhje me kryerjen e veprës penale të pretenduar.

Pala mbrojtëse tha se prokuroria po e shtyn me qëllim nxjerrjen e kësaj dosjeje. Avokati i Veselit, Ben Emmerson tha se mbrojtjes i duhet kjo dosje, që të nisë hetimet e saja.

Gjatë konferencës statusore të mbajtur më 16 shkurt, Prokurori i Specializuar Jack Smith kishte deklaruar se për shkak të mbrojtjes së dëshmitarëve, prokuroria do që dorëzimi i dosjes paraprake të lidhet me datën e nisjes së gjykimit.

Por, Emmerson, gjatë konferencës të mbajtur të mërkurën tha se këtë prokuroria po e bën "që mbrojtja të ketë pak kohë ta analizojë atë".

Në këtë konferencë, të akuzuarit po marrin pjesë përmes video-konferencës.

Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në këtë konferencë, Prokuroria tregon çfarë lloji të provave disponon.

Për çka akuzohen ish-krerët e UÇK-së?

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi gjenden në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit të kaluar, kur u është konfirmuar aktakuza ndaj tyre. Që të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.

Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

XS
SM
MD
LG