Ndërlidhjet

Përfaqësuesit e bizneseve të Kosovës refuzojnë ftesën e Beogradit për vaksinim


Një qendër vaksinimi në Beograd.
Një qendër vaksinimi në Beograd.

Oda Ekonomike e Kosovës ka refuzuar ftesën e Odës Ekonomike të Serbisë që biznesmenët të vaksinohen kundër koronavirusit në Beograd.

Oda Ekonomike e Serbisë ka thënë të mërkuren se në bashkëpunim me Qeverinë serbe ka siguruar 10 mijë doza të vaksinës kundër koronavirusit për biznesmenët dhe punonjësit nga rajoni, përfshirë edhe Kosovën.

“Si Odë Ekonomike e Kosovës, kemi refuzuar këtë thirrje për arsye parimore", ka deklaruar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Ky rast dhe progresi që kanë vendet e rajonit me vaksinimin, janë edhe një alarm shtesë për të gjithë, që të angazhohemi fuqishëm në sigurimin e vaksinës. Bizneset tona janë të gatshme të perkrahin institucionet e vendit, në këtë proces dhe në procese tjera që na ndihmojnë t’i japim fund krizës shëndetësore”, ka shtuar ai.

Siç thuhet në njoftimin e Odës ekonomike serbe, këtë fundjavë, në Beograd do të organizohet vaksinimi për biznesmenët dhe punonjësit nga Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova, të cilët duan të mbrohen nga koronavirusi.

Sipas kësaj ode, ekonomitë e vendeve të rajonit janë të lidhura ngushtë “dhe vetëm së bashku mund ta tejkalojmë këtë fatkeqësi”.

Kryetari i odës, Marko Çadezh ka deklaruar se procedura e imunizimit të këtyre persona është e thjeshtë dhe të interesuarit duhet vetëm të lajmërohen tek odat ekonomike të shteteve përkatëse, të cilat në koordinim me Odën Ekonomike serbe, do të organizojnë vaksinimin në Beograd.

Serbia po prin në rajon me numrin e vaksinave të siguruara kundër koronavirusit.

Në anën tjetër, Kosova është vendi i vetëm në Evropë që deri më tani nuk ka siguruar asnjë dozë të vaksinës kundër koronavirusit.

Zyrtarët e qeverisë paraprake kanë thënë se në muajin mars do të arrijë kontingjenti i parë i vaksinave të AstraZenecas, që janë në kuadër të 100.800 dozave që Kosova do t’i marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

XS
SM
MD
LG