Ndërlidhjet

Rusishtja do të bëhet gjuhë zyrtare në Nagorno-Karabak


Një ushtar rus në Nagorno-Karabak

Parlamenti separatist i Nagorno-Karabakut ka miratuar propozimin për ta bërë rusishten gjuhë të dytë zyrtare të rajonit të populluar nga armenët.

Amendamentet për ligjin e gjuhëve në këtë rajon, janë miratuar më 25 mars me 27 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime.

Projektligji, i cili do të kthehet në ligj pasi të nënshkruhet nga lideri i këtij rajoni Arayik Harutiunian, përcakton se dhënia e statusit special për rusishten do të ndikojë në thellim të historisë “kulturore, ushtarake dhe ekonomike” të Nagorno-Karabakut me Rusinë.

Tri nga pesë partitë politike të përfaqësuara në legjislaturën e këtij rajoni, kanë propozuar këtë ndryshim muajin e kaluar, duke thënë se një gjë e tillë do të lehtësojë komunikimin me ushtarët rusë dhe punëtorët shëndetësorë të angazhuar në Nagorno-Karabak, pas luftës së zhvilluar vjeshtën e kaluar në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit për këtë rajon.

Prezenca e Rusisë në Nagorno-Karabak është rritur në mënyrë dramatike pas gjashtë javëve të luftimeve në dhe afër rajonit.

Luftimet kanë përfunduar pas arritjes së një marrëveshjeje, me ndërmjetësim të Moskës.

Më shumë se 6,000 persona janë vrarë në konflikt.

Sipas marrëveshjes, Nagorno-Karabaku dhe shtatë rajone tjera të afërta janë vënë në administrimin e Azerbajxhanit, pas gati 30 vjetëve të kontrollimit të këtij rajoni nga forcat etnike armene.

Rajoni i Nagorno-Karabakut njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, mirëpo armenët etnikë, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë atje, refuzojnë regjimin azerbajaxhanas.

Ata kanë menaxhuar vetë punët e tyre, me mbështetjen e Armenisë, prej kur trupat ushtarake të Azerbajxhanit dhe civilët azerbajxhanas janë larguar nga ky rajon dhe shtatë distrikte tjera, në luftën që ka përfunduar po ashtu me armëpushim, më 1994.

XS
SM
MD
LG