Ndërlidhjet

SHBA dënon lëshimin e raketave nga Koreja e Veriut


Një raketë e tipit të ri, e cila, sipas agjencisë verikoreane të lajmeve KCNA, është lëshuar më 25 mars, 2021.

Shtetet e Bashkuara dënuan lëshimin e raketave balistike nga Koreja e Veriut, duke thënë se ato shkelin rezolutat e shumta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe se “kërcënojnë rajonin dhe komunitetin e gjerë ndërkombëtar”.

Deklarata e Departamentit të Shtetit erdhi pasi Koreja e Veriut tha se, më 25 mars, ka lëshuar “një predhë taktike të tipit të ri, të zhvilluar rishtas”.

Arma goditi cakun 600 kilometra larg, tha agjencia verikoreane e lajmeve KCNA.

Fundjavën e kaluar, Phenjani lëshoi edhe dy raketa të tjera me rreze të shkurtër veprimi.

Shtetet e Bashkuara mbeten të hapura për diplomaci me Korenë e Veriut, me gjithë provat e saj raketore, tha të enjten presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë.

Por, ai paralajmëroi se do të ketë përgjigje nëse Koreja e Veriut e përshkallëzon situatën.

“Do të përgjigjemi në përputhje me rrethanat”, u tha Biden gazetarëve.

Përpjekjet diplomatike rreth programit bërthamor të Koresë së Veriut kanë mbetur të bllokuara për rreth dy vjet.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë përpjekje të zhvillojë marrëdhënie personale me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, por nuk ka arritur të bëjë ndonjë përparim drejt denuklearizimit të shtetit komunist.

Zyrtarët verikoreanë kërkojnë heqjen e sanksioneve ndaj shtetit të tyre, në mënyrë që të fillojë procesi i denuklearizimit, mirëpo SHBA-ja e kundërshton një gjë tillë.

XS
SM
MD
LG