Ndërlidhjet

Një komision mbikëqyrës rus viziton Navalnyn


Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny gjatë paraqitjes para një gjykate në Moskë në muajin shkurt.

Anëtarët e Komisionit të Mbikëqyrjes Publike në rajonin Vladimir, janë takuar me liderin opozitar rus, Aleksei Navalny, i cili gjendet në burg. Ky takim erdhi pasi Navalny është ankuar për probleme shëndetësore.

Vyacheslav Kulikov, kryetar i këtij komisioni, tha se ekipi “vizitoi burgun dhe u takua me Aleksei Navalnyn për të kuptuar problemet shëndetësore që ai ka dhe që të sigurohet se ai do të marrë trajtimin e duhur mjekësor”.

“Gjatë diskutimeve, Navalny është ankuar se ka dhimbje në këmbën e tij dhe ka kërkuar asistencë që të marrë injeksione për ta trajtuar këtë problem”, tha Kulikov.

Kulikov gjithashtu tha se Navalny, pavarësisht se është ankuar për dhimbje në këmbë, ai mund të ecë dhe nuk ka thënë se ka probleme të tjera. Po ashtu, Kulikov tha se tashmë është regjistruar edhe zyrtarisht kërkesa e Navalnyt për injeksione.

Ndërkaq, përmes një deklarate të publikuar në llogarinë e Navalnyt në Twitter, u tha se vizita e Komisionit për Mbikëqyrje Publike ka ndodhur në mëngjesin e 26 marsit.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje Rusisë që ta lirojë menjëherë Navalnyn pasi ai u ankua se kishte dhimbje në shpinë dhe autoritetet e burgut ku gjendet, nuk po bënin “asgjë” për shqetësimet e tij shëndetësore.

Navalny gjendet në një burg rreth 100 kilometra larg Moskës. Ai në shkurt është dënuar me dy vjet e gjysmë burgim lidhur me një dënim të mëparshëm, nën akuza për keqpërdorim fodesh.

Ai u arrestua menjëherë pasi u kthye nga Gjermani, ku për disa muaj ishte trajtuar për helmim. Analizat e kryera në disa laboratorë evropianë, kanë ardhur në përfundim se Navalny është helmuar në gushtin e kaluar, me agjentin nervor Noviçok.

Navalny ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin se qëndron prapa helmimit të tij. Kremlini zyrtar ka mohuar çdo përfshirje në këtë ngjarje.

XS
SM
MD
LG