Ndërlidhjet

Qeveria procedon në kuvend Ligjin për zgjedhjet


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur në mbrëmjen e së premtes, ka miratuar ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe të njëjtin tani ia procedon kuvendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se qeveria e ka mbështetur këtë nismë, “sipas kërkesës nga përfundimi i kuvendit, janë përgatitur edhe opinioni për vlerësimin buxhetor dhe opinioni për përputhshmëri me aki-komuniter të Bashkimit Evropian (acquis communautaire - baza ligjore e BE-së), të cilat do t’i procedohen Kuvendit të Kosovës.

“Ky projektligj për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës nuk është i ri. Ai është një gjë që ishte iniciuar edhe në legjislaturën e gjashtë, kishte vazhduar edhe në legjislaturën e shtatë, ku është përkrahur miratimi i tij. Tani, ne po e miratojmë në qeveri, për ta proceduar më tej për miratim në kuvend”, ka thënë Kurti .

Ai ka shtuar se ky projektligj është në funksion të garantimit të të drejtës së votës për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe e mundëson votimin bashkatdhetarëve në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës, duke u krijuar atyre mundësin për pjesëmarrje më të lehtë në procesin zgjedhor.

Ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme tani i procedohen Kuvendit të Kosovës, ku pritet të mbahet seancë plenare. Ndryshimet në ligj, me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, do të bëhen me procedurë të përshpejtuar.

Ky ligj vjen në kuvend para mbajtjes së seancës për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dhe nga partitë opozitare, është cilësuar si shantazh.

Por, më herët shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se ky ligj nuk është shantazh ndaj partive të tjera, por jetësim i një premtimi elektoral të LVV-së.

XS
SM
MD
LG