Ndërlidhjet

Abdixhiku i bën thirrje Kurtit të tërheqë Ligjin për zgjedhjet


Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i bëri thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të tërheqë nga kuvendi nisëm për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Në një konferencë për media, Abdixhiku tha se nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë Kurti, qëllimshëm do ta dërgojë vendin në zgjedhje të reja.

“I bëj thirrje kryeministrit Kurti dhe shumicës parlamentare që të heqin dorë nga ky shantazh i sotëm ndaj opozitës”, tha ai.

"Shantazhi i sotëm lë të kuptohet se Kurti ose nuk dëshiron të zgjidhë ketë çështje ose dëshiron të krijojë destabilitet politik për të fshehur paaftësinë e tij për t'u përballur me probleme të mëdha të cilat ka premtuar se do t'i zgjidhë dhe për të cilat e kanë votuar qytetarët", tha Abdixhiku.

Qeveria e Kosovës ia ka proceduar kuvendit ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Këto ndryshime duhet të miratohen në dy lexime nga deputetët.

Me këto ndryshime diasporës do t'i mundësohet që të votojë në ambasada dhe konsullata që Kosova i ka nëpër botë.

Seanca për këtë ligj pritet të mbahet para asaj për zgjedhjen e presidentit.

Më herët, LDK-ja kishte deklaruar se do të marrë pjesë në votimin për president.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se ka siguruar nënshkrimet për thirrjen e seancës për presidentin.

Si kandidatë për president janë Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta. Që të dy në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë kandiduar me Listën e Osmanit, që garoi në kuadër të listës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota për të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

XS
SM
MD
LG