Ndërlidhjet

SHBA-ja përsërit angazhimin për sigurinë e Izraelit


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka përsëritur angazhimin e fuqishëm të SHBA-së për sigurinë e Izraelit. Blinken, gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gabi Ashkenazi, ka thënë se pret që të forcohen të gjitha aspektet e partneritetit SHBA-Izrael.

Në një deklaratë nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, u tha se të dy udhëheqësit diskutuan sfidat rajonale të sigurisë, ndihmën humanitare për popullin palestinez dhe normalizimin e marrëdhënieve me vendet me shumicë arabe dhe myslimane.

Vitin e kaluar, nën udhëheqjen e ish-presidentit, Donald Trump, SHBA-ja ndërmjetësoi nënshkrimin e marrëveshjeve për normalizimin e raporteve të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Sudanin dhe Marokun.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ende nuk është fokusuar shumë në përfshirjen e më shumë vendeve në listë për normalizimin e raporteve me Izraelin.

Disa vende arabe duan të shohin zgjidhjen e mosmarrëveshjes së gjatë midis Izraelit dhe palestinezëve para se të bien dakord për një marrëveshje.

Blinken i tha ministrit Ashkenazi se izraelitët dhe palestinezët duhet të gëzojnë "masa të barabarta" të lirisë, sigurisë, prosperitetit dhe demokracisë", raporton Reuters.

XS
SM
MD
LG