Ndërlidhjet

UP-ja distancohet nga gjuha e profesorit Ardian Kastrati


Të hënën në Prishtinë ka pasur edhe një protestë të shoqërisë civile, me kërkesat për largimin e profesorit Kastrati nga Universiteti i Prishtinës.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” tha se distancohet nga deklarata individuale e Ardian Kastratit, profesor asistent në Fakultetin Filozofik të UP-së.

Një ditë më herët, Kastrati, përmes një shkrimi në Facebook, ka përshkruar pamjen fizike të një gruaje të shëndoshë.

Kastrati ka thënë se shkrimi është një satirë e shkrimtarit Faik Konica, por në mediat sociale është interpretuar gjerësisht si gjuhë fyese ndaj presidentes së porsazgjedhur të Kosovës, Vjosa Osmani.

Përmes një komunikate për media, Universiteti i Prishtinës tha se e dënon fuqishëm gjuhën e përdorur denigruese dhe se do ta trajtojë rastin në fjalë në përputhje me ligjet në fuqi.

“UP-ja njofton opinionin që, si institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend, kërkon nga personeli i tij, që pavarësisht institucionit ku janë të angazhuar, me sjelljet, qëndrimet dhe deklaratat e tyre, të ruajnë imazhin e UP-së”, thuhet në komunikatë.

Të hënën në Prishtinë ka pasur edhe një protestë të shoqërisë civile, me kërkesat për largimin e Kastratit nga Universiteti i Prishtinës.

Kastrati, i cili është edhe deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, e ka fshirë më pas postimin në Facebook dhe ka thënë se nuk ka pasur për qëllim ofendimin e askujt.

Kuvendi i Kosovës ka votuar të dielën për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, me mandat pesëvjeçar.

Në seaancë nuk kanë marrë pjesë deputetët e partisë së Kastratit, e as ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Listës Serbe.

Osmani është gruaja e dytë që zgjidhet në krye të shtetit, pas Atifete Jahjagës.

XS
SM
MD
LG