Ndërlidhjet

Varianti britanik i koronavirusit, "më i përhapuri në SHBA"


Pamje e një spitali në Uashington.
Pamje e një spitali në Uashington.

Varianti i koronavirusit që përhapet më lehtë, i identifikuar fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar, është kthyer në variantin më të përhapur në Shtetet e Bashkuara, andaj edhe numri i rasteve të infektimit po vazhdon të rritet, ka thënë Rochelle Walensky, udhëheqëse e Qendrave për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara.

Sipas saj, varianti britanik i koronavirusit është identifikuar në 52 rajone në SHBA.

Zyrtarët amerikanë të shëndetit publik u kanë bërë thirrje banorëve të SHBA-së që të vaksinohen sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e varianteve të reja.

Shtetet e Bashkuara kanë identifikuar edhe raste të infektimit me variantin e zbuluar fillimisht në Afrikën Jugore, i cili besohet se u reziston vaksinave dhe trajtimeve për COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi.

Ky variant është identifikuar në 36 shtete amerikane, sipas të dhënave federale, që janë publikuar të martën.

Shtetet e Bashkuara janë duke dhënë 3 milionë vaksina në ditë kundër koronavirusit.

Furnizimi me vaksina është rritur dukshëm në SHBA në javët e fundit, pasi kompania Johnson & Johnson ka nisur të prodhojë miliona doza të vaksinës tashmë të autorizuar.

Kompanitë Pfizer/BioNTech dhe Moderna, po ashtu kanë rritur kapacitetet prodhuese për vaksinat e tyre kundër këtij virusi.

Presidenti amerikan Joe Biden ka dyfishuar synimin e tij për dhënie të vaksinave në 100 ditët e para në zyrën e presidentit, nga 100 në 200 milionë, dhe u ka bërë thirrje shteteve që të nisin vaksinimin e të gjithë të rriturve në mesin e muajit prill.

Megjithatë, SHBA-ja vazhdon të ketë shifra të konsiderueshme të infektimeve.

Në shtatë ditët e fundit janë regjistruar 63,000 raste, çka përbën rritje prej 2.3 për qind në krahasim me javën paraprake, ka thënë Walensky.

XS
SM
MD
LG