Ndërlidhjet

Biden letër Osmanit: Normalizimi i raporteve me Serbinë kërkon kompromise të vështira


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se SHBA-ja mbështet vazhdimin e dialogut të Kosovës me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila do të përqëndrohej në njohjen reciproke.

"SHBA-ja do të vazhdojë të mbështes përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në një letër të cilën presidenti amerikan, Joe Biden i ka dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në të cilën e uron atë për zgjedhjen në këtë pozitë.

“Normalizimi i raporteve me Serbinë është thelbësore për Kosovën për të realizuar në plotni potencialin e saj dhe për integrimin e plotë në institucionet euro-atlantike. E di që gjatë rrugës për arritjen e këtij qëllimi, kërkohet flekisbilitet dhe kompromise të vështira, dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë partner i juaji në çdo hap”, ka thënë Biden.

Në letër, Biden shkruan se partneriteti mes dy vendeve është i rrënjosur në vlera të përbashkëta, duke theksuar se do të punojë me Presidenten Osmani në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike.

Në njoftimin e zyrës së presidentes Osmani, thuhet se presidenti Biden i është përgjigjur edhe kërkesës së Osmanit që SHBA-ja të ndihmojnë me vaksina, bazuar në letrën e saj të 19 marsit.

Presidenti Biden ka thënë se, “me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë me partnerët për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me Presidenten Osmani për realizimin e synimit të tillë”.

Presidenti Biden ka përmendur edhe raportin personal të familjes Biden me Kosovën.

Në këtë kontekst, presidenti amerikan ka përmendur të birin e tij Beau, i cili ka shërbyer në Kosovën në kuadër të forcave paqeruajtëse amerikane, siç thuhet në letër për “avancimin e paqes, si dhe sundimit të rendit e ligjit”.

XS
SM
MD
LG