Ndërlidhjet

Një i vrarë dhe katër të plagosur në Elbasan


Policia e Shqipërisë. Foto nga arkivi.
Policia e Shqipërisë. Foto nga arkivi.

Një ish-zyrtar i partisë opozitare ka mbetur i vrarë dhe një police është plagosur në qytetin e Elbasanit, në një përleshje të armatosur duke shënuar incidentin më serioz, disa ditë para zgjedhjeve te përgjithshme në Shqipëri.

Mësohet se personi i vrarë është Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, ish-zyrtar i Lëvizjes Socialiste në Elbasan.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14:20 në lagjen “5 maji”, pas një përplasjeje me armë mes të paktën 6 personave, pranë zyrave të Partisë Demokratike në këtë qytet.

Sipas raportimeve paraprake, vrasësi i Xhuvanit është Arbër Papleka, i cili mësohet se është edhe truproja i Gazmend Bardhit, koordinatorit të Partisë Demokratike në Elbasan, por edhe ish-pjesëtar i forcave speciale të policisë RENEA.

Ai është arrestuar nga Policia e Shqipërisë.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka folur për ngjarjen e sotme, ku tha për mediat se qarku i Elbasanit është një nga rajonet më problematike në Shqipëri.

“Ajo që është shqetësues në Elbasan është se shumica e krimeve zgjedhore deri tani që janë denoncuar i takojnë qarkut të Elbasanit”, tha Meta.

Ai u bëri thirrje institucioneve për zbatimin e ligjit të jenë në krye të detyrës dhe të shkëpusin çdo lidhje apo preferencë partiake.

“Organet ligj-zbatuese të shkëpusin çdo preferencë partiake dhe padyshim do mbajnë përgjegjësi për ngjarjet e rënda që po regjistrohen në vend, sepse vendi nuk ka nevojë për viktima, por mbi të gjitha vendi nuk ka nevojë për asnjë lloj cenimi të standardeve zgjedhore. Me qetësi dhe dashuri të nisen [qytetarët] drejt 25 prillit”, theksoi ai.

Pas këtij incidenti, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri i bëri “thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit".

"Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen”, tha ambasada amerikane.

“Veprimet tona duhet të bazohen në fakte, jo në frikë apo thashetheme. Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ne përsërisim deklaratën tonë të 26 marsit duke bërë thirrje që udhëheqësit - ata që janë në pushtet dhe ata që kërkojnë pushtet - të refuzojnë qartazi dhunën. Ambasada Amerikane do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër”, thuhet ndër tjerash në reagimin e ambasadës.

Përmes një deklarate për të shpërndarë nê Facebook, ambasadorja amerikane, Juri Kim i ka kërkuar presidentit Meta, kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të udhëheqin në të njëjtën mënyrë ndërsa çështja është duke u hetuar.

Ambasada amerikane tha se do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër.

XS
SM
MD
LG