Ndërlidhjet

Shqipëria të garantojë zgjedhje demokratike, thonë ligjvënësit amerikanë Meeks dhe McCaul


Flamuj amerikanë para ndërtesës së Kongresit në Uashington.
Flamuj amerikanë para ndërtesës së Kongresit në Uashington.

Kreu i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, demokrati, Gregory W. Meeks dhe numri dy i këtij Komiteti, republikani, Michael McCaul u bënë thirrje autoriteteve të Shqipërisë që të garantojnë zgjedhje demokratike.

Përmes një deklarate të përbashkët ata theksojnë se “derisa Shqipëria po përgatitet të mbajë zgjedhjet e përgjithshme më 25 prill, ne i nxisim autoritetet shqiptare që të garantojnë se votuesit mund të votojnë pa frikë nga shitblerja e votave, dhuna dhe frikësimi”.

“Edhe kur bëjnë fushatë të fuqishme, ne presim që të gjithë udhëheqësit, ata në detyrë dhe ata që shpresojnë të zgjidhen, të veprojnë në përputhje me normat demokratike”, thanë dy kongresistët në deklaratë, duke shtuar se “miqtë e Shqipërisë në Amerikë mbeten të përkushtuar për të mbështetur një të ardhme demokratike dhe të begatë për popullin shqiptar”.

Shqipëria është në prag të Zgjedhjeve Parlamentare 2021, që do të zhvillohen të dielën, më 25 prill.

Përgjatë një muaji fushatë, shpesh e përcjellë me tensione, partitë politike kanë kërkuar nga qytetarët besimin për udhëheqjen e vendit, me premtime për ta dhe akuza ndaj njëra-tjetrës.

Në Shqipëri janë regjistruar 46 subjekte politike, që garojnë për marrjen e drejtimit të shtetit, megjithatë, vendi ka dy forca kryesore politike të cilat e kanë udhëhequr atë që nga rënia e komunizmit.

Partia Socialiste (PS) e drejtuar nga kryeministri aktual Edi Rama, kërkon një mandat të tretë qeverisës. Ndërsa, Partia Demokratike (PD) në opozitë, e drejtuar nga Lulzim Basha, kërkon ta marrë drejtimin e vendit pas 8 vjetësh në opozitë.

Një aktor i rëndësishëm në vend është edhe partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), që udhëheqet nga Monika Kryemadhi. Kjo parti, tradicionalisht ka qenë e vogël në përfaqësim në Kuvend, por ka luajtur rol në ndërtimin e qeverive përmes koalicioneve paszgjedhore.

Më 22 prill edhe senatorët amerikanë Bob Menendez dhe Jim Risch, i kanë bërë thirrje popullit në Shqipëri që të votojë në zgjedhjet e 25 prillit.

Të dy senatorët, të cilët janë pjesë e Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, po ashtu u kanë bërë thirrje autoriteteve që të sigurojnë se votuesit do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore në mënyrë të lirë, pa u përballur me frikësim dhe dhunë.

Më 21 prill, një ish-zyrtar i partisë opozitare ka mbetur i vrarë dhe një police është plagosur në qytetin e Elbasanit, në një përleshje të armatosur duke shënuar incidentin më serioz, disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Më herët, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, ka bërë thirrje për vetpërmbajtje.

"Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë simbolet e ndonjë partie politike dhe ‘patrullojnë’ rrugët i përkasin të kaluarës së shëmtuar, që duhet refuzuar”, ka thënë ajo.

XS
SM
MD
LG