Ndërlidhjet

Armenët shënojnë Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit


Memoriali në Armeni, në kujtim të armenëve të vrarë gjatë Luftës së Parë Botërore.
Memoriali në Armeni, në kujtim të armenëve të vrarë gjatë Luftës së Parë Botërore.

Presidenti amerikan, Joe Biden pritet të bëjë një njoftim më 24 prill, në mes të spekulimeve se ai do ta njohë si gjenocid masakrën e armenëve nga Perandoria Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore.

Biden, gjatë kohës sa ishte kandidat për president të SHBA-së, ishte zotuar se nëse zgjidhet president, do të ndërmerrte një hap të madh simbolik në këtë drejtim. Ai pritet që më 24 prill të lëshojë një deklaratë, në ditën kur armenët shënojnë Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, turqit otomanë vranë ose dëbuan 1.5 milion armenë – një minoritet i krishterë në perandorinë me shumicë myslimane. Shumë historinë dhe shtete të tjera, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, i konsiderojnë vrasjet e armenëve si gjenocid.

Armenët për dekada me radhë u kanë kërkuar qeverive në mbarë botën që t’i njohin vrasjet dhe dëbimin e armenëve si gjenocid, një term që është kundërshtuar nga Turqia.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar një ditë më parë se Biden ka biseduar me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Agjencia Reuters ka cituar burime që kanë njohuri me këtë bisedë, të cilët kanë thënë se Biden i ka thënë Erdoganit se ai dëshiron që ta njohë si gjenocid vrasjen masive dhe dënimin e armenëve.

Ankaraja insiston se vrasja e armenëve ishte si rezultat i përplasjeve civile dhe se nuk ishte një përpjekje e planifikuar e qeverisë otomane për të zhdukur armenët.

Kongresi amerikan më 2019 kishte njohur gjenocidin armen, por administrata e presidentit Donald Trump, e kishte bërë të qartë se do ta mbante status quo-në lidhur me këtë çështje.

XS
SM
MD
LG