Ndërlidhjet

OBSH dërgon ekipe shtesë në Indi


Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është duke dërguar ekipe shtesë dhe furnizime në Indi për të ndihmuar këtë vend që të luftojë pandeminë, tha të hënën shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

"OBSH po bën gjithçka që mundet, duke siguruar pajisje, spitale lëvizëse në terren dhe pajisje laboratorike", tha Ghebreyesus në një konferencë.

Sipas tij mbi 2.600 anëtarë shtesë të stafit të OBSH-së do të ndihmojnë këtë vend në përballje me pandeminë.

Të hënën, India shënoi sërish një rekord të ri të rasteve të reja me COVID-19, derisa shtetet, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë u zotuan se do të dërgojnë ndihmë shëndetësore, për të ndihmuar Indinë në luftën kundër pandemisë.

India regjistroi 352,991 raste të reja në 24 orët e fundit. Spitalet në mbarë vendin janë mbingarkuar. Spitalet në kryeqytet, Nju Dehli po kthejnë mbrapsht pacientët, pasi nuk kanë shtretër të lirë e as furnizime me oksigjen.

“Aktualisht, ka ‘luftë’ për shtretër dhe situata është një krizë ekstreme”, tha një zëdhënës i një spitali në Nju Dehli, transmeton Retuers.

India po ashtu po përballet me një variant të ri të virusit. Më 25 prill, Zvicra njoftoi se varianti indian ka arritur në shtetin e tyre, ndërsa Italia ka vendosur që të ndalojë udhëtimet për në Indi.

XS
SM
MD
LG