Ndërlidhjet

Mbi 50 vende diskutojnë për luftimin e ekstremizmin në internet


Ilustrim.
Ilustrim.

Si pjesë e një përpjekjeje për të ndaluar dhunën ekstremiste në internet, liderët e më shumë se 50 vendeve dhe ndërmarrjeve të mëdha të teknologjisë u takuan online më 15 maj.

Takimi është pjesë e një përpjekjeje globale të inicuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, pasi në vendet e tyre, ka pasur raste kur sulmet vdekjeprurëse janë transmetuar ose shpërndarë në rrjetet sociale.

Në Zelandën e Re dy vjet më parë, një supremacist i bardhë transmetoi drejtpërdrejt në Facebook masakrën ndaj 51 myslimanëve. Në Francë ishte vrasja e mësuesit Samuel Paty, i cili u vra në tetor 2020 në një krim që hetuesit e konsideruan një akt terrorist të motivuar nga islamizmi.

Mësuesi u vra pasi zemërimi kundër tij u përshkallëzua në internet sepse ai kishte treguar një imazh të profetit Muhamed gjatë një ore mësimi. Në internet sulmuesi lavdërohej për atë që kishte bërë.

Sulmi ndaj mësuesit Pati "nuk mund dhe nuk do të harrohet", tha Macron në hapje të takimit virtual, duke shtuar, se interneti vazhdon të përdoret nga terroristët si një armë për të përhapur urrejtjen.

"Na takon neve demokracive dhe mbrojtësve të lirive themelore të gjejmë zgjidhjet e duhura", tha ai.

Nisma, e njohur si Thirrja Kristçërç, u emërua duke u bazuar në vendin ku ndodhi sulmi në Zelandën e Re.

Pesëdhjetë e pesë vende mbështetën projektin, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Estoninë, Çekinë dhe Sllovakinë.

Qëllimi i takimit është që të ketë një koordinim më të mirë të qeverive dhe gjigandëve të Internetit siç janë: Google, Facebook, Twitter dhe Amazon.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha në një deklaratë se për Shtetet e Bashkuara është një përparësi e rëndësishme kundërshtimi i përdorimit të internetit nga terroristët dhe ekstremistët e dhunshëm për të radikalizuar dhe rekrutuar.

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe të privatësisë.

Kryeministri britanik, Boris Johnson tha se autoritetet në vendin e tij kishin identifikuar më shumë se 300,000 materiale terroriste nga interneti gjatë dekadës së fundit.

"Përmbajtja terroriste është si një tumor metastazues në internet ", tha Johnson në një porosi përmes videos.

"Nëse nuk arrijmë ta heqim atë, ajo do të përhapet në mënyrë të pashmangshme në të gjithë botën", tha ai.

Që nga fillimi i iniciativës “Thirrja Kristçërç”, qeveritë dhe kompanitë e teknologjisë kanë bashkëpunuar në disa raste në identifikimin e përmbajtjes ekstremiste të dhunshme në internet.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, tha se nevojitet angazhim më i madh për të ndaluar përhapjen e tij.

Ajo sugjeroi si një mundësi të zgjidhjes edhe aftësimin më të mirë të të rinjve për t'u marrë me përmbajtjen radikale ose dezinformimin në internet.

XS
SM
MD
LG